Sugjerojmë:

“Qendroni në shtëpi, porosinë e sjellim ne”. Sa na ndihmojnë blerjet online në këto ditë

Në ditët e karantinës, mund të kemi kuptuar më shumë se asnjëherë tjetër rëndësinë e Internetit dhe luksit që na jep teknologjia. Në kushtet kur orari i lëvizjes për këmbësorët u kufizua ndjeshëm, orari i punëve në farmaci, banka dhe supermarkete po ashtu u reduktua, doli në pah: Të bërit pazar online!

Ky koncept nuk është më një i tillë kudo në botë, pasi një biznes thjesht nuk mund të konceptohet më, nëse nuk shet online. Pra është tashmë një realitet, që askujt nuk i bën më përshtypje.

Një bum i tillë fatmirësisht ndodhi edhe në vendin tonë, sidomos 10 ditët e fundit. Shumë farmaci, hipermarkete, restorante por edhe dyqane elektroshtëpiakesh, ofruan si asnjëherë më parë, shërbimin e të porositurit online, me dërgesa që kryesisht shkonin në adresën përkatëse brenda 24 orëve. Dhe mbi të gjitha, transporti pothuajse ishte gjithnjë Falas! Një mënyrë fantastike kjo për të plotësuar kërkesat e konsumatorëve dhe njëkohësisht pa thyer rregullin e të dalit nga shtëpia. Por sigurisht, nga ana tjetër kjo është një mënyrë që edhe bizneset të mbajnë gjallë “frymën” e tyre.

Por si ka funksionuar praktikisht, për porositë në hipermarkete? (meqënëse tek Nepsi, na pëlqen të ndalemi kryesisht tek ushqimi). 

  1. Si fillim çdo hipermarket i madh në vend ka shpërndarë në rrjetet sociale katalogun e produkteve ku konsumatorët kanë mundësi të njihen me opsionet e zgjedhjes dhe çmimet e tyre.
  2. Më pas konsumatori nis porosinë e përmbledhur përmes një e-maili drejtuar hipermarketit ose përmes një mesazhi në WhatsApp (jo telefonata).
  3. Konsumatori duhet të shkruajë emër, mbiemër, numër kontakti dhe adresën e saktë të banimit. Menjëherë pas kësaj kontaktohet nga stafi për të folur më tepër mbi disponibilitetin, sasinë e produkteve etj.
  4. Pagesa? Bëhet cash në momentin e dorëzimit.

Duhet thënë se në momentin e parë, lehtësira të tilla janë përqafuar nga konsumatorët dhe ka pasur një bum porosish sidomos nga Tirana dhe Durrësi.  Por mbingarkesa, ndryshimet e shpeshta të orareve të lëvizjeve, stafi i reduktuar, kanë ngjallur disi pakënaqësi tek blerësit, duke shkaktuar më pas një dyndje të pa-justifikueshme drejt tregjeve ushqimore.

Image may contain: one or more people, people walking, crowd and outdoor

Dukshëm në të tilla rrethana, nuk respektohet asnjë element sigurie, duke u bërë një vatër e mundshme infeksioni për COVID-19. Atëherë përse zgjedhim të rrezikojmë shëndetin tonë dhe të të afërmve tanë, kur kemi mundësi të tjera?

Në këtë moment të vështirë emergjence dhe kufizimi në lëvizje, s’ke rrugë tjetër përveçse të përshtatesh me të tashmen dhe me lehtësirat që na ofron zhvillimi marramendës i teknologjisë.

Bonus:
Dollapin tënd të ushqimeve mund ta mbushësh edhe thjesht me një klik nga telefoni. Nëse shkarkon falas aplikacionin SnapFood në telefonin tënd, duhet të zgjedhësh me patjetër : “Zahire”. Brenda menusë së saj shumë të pasur do të gjeni produkte artizanale nga treva të ndryshme të Shqipërisë. Në “Zahire” mund të porosisni në çdo moment ushqime të freskëta, qumësht, vezë, djathë, reçel, perime etj.

Pa më thuaj tani, sa me fat ndihesh që po jeton në të tilla kohëra?/neps.al 

Lini një koment