Sugjerojmë:

Këshillat që duhet të ndiqni nëse shkoni për herë të parë në plazh me beben tuaj

Pushimet e verës për prindërit e rinj, të cilët kanë një bebe të porsalindur janë një sfidë jo pak e rëndësishme. Shpesh përballë kësaj situate ata përballen me pyetjen nëse duhet të bëjnë pushime në bregdet apo jo.

Gjithmonë i shoqëron meraku se ndoshta uji i ftohtë, rrezet e diellit etj, nuk do të ndikojnë mirë në shëndetin e fëmijës.

Në fakt nuk ka asnjë standard apo rregull të shkruar për këtë, por specialistët e fushës këshillojnë dhe rekomandojnë që prindërit mund të bëjnë plazh me bebushat e tyre kur ata janë të paktën 6 muajsh. Gjithashtu ata  japin edhe disa këshilla në lidhje me banjën e parë të bebes së tyre.

Zgjidhni kohën e duhur

Ju duhet të dini se si të zgjidhni momentin e saktë që fëmija të shijojë dhe të kalojë bukur qoftë në pishinë apo në plazh. Idealja do të ishte para ngrënies ose pasdite pas një sy gjumi.

Përgatitja e bebes

Është shumë më e këshillueshme të shkoni në pishinë ose në plazh me gjithçka gati dhe të përgatitur, sesa t’i bëni këto në lëvizje. Vishjani rrobat e banjës në shtëpi së bashku me kremin kundër diellit dhe aksesorët për ta mbrojtur atë nga rrezet e forta.

Vendoseni në ujë me kujdes

Idealja është ta prezantoni fëmijën pak nga pak dhe me kujdes me ujin, në mënyrë që përshtypja jo e mirë të jetë sa më e vogël. Mund të filloni me këmbët dhe nëse dëshironi shtoni gradualisht pjesën tjetër të trupit.

Luaj me fëmijën

Është e rëndësishme të siguroheni që fëmija të ndihet i qetë në çdo kohë. Kështu duke luajtur me njëri- tjetrin ju dhe fëmija do shijoni çdo moment në ujë. Këto çaste do të bëhen kujtime të pashlyeshme që do t’ju pëlqente t’i ktheni pas ndër vite.

Kohëzgjatja e banjës

Foshnja nuk duhet të qëndrojë shumë gjatë në ujë pasi uji mund të ftohet dhe qëndrimi më gjatë nuk do ishte i këshillueshëm.

Këshillohet që qëndrimi i bebes në ujë të mos zgjasë më tepër se rreth 15 minuta. Nëse foshnja e ka të vështirë për shkak të të ftohtit, duhet ta hiqni menjëherë. Larja, qoftë në plazh apo në pishinë, duhet të jetë një moment i këndshëm për fëmijën.

Thajeni shpejt

Përpara se ta hiqni nga uji është mirë të keni peshqirin pranë. Është e rëndësishme që ta thani shpejt në mënyrë që mos të ftohet.

Çfarë duhet të bëni pasi ta hiqni nga uji

Pasi të thahet bebi, këshillohet të ndërrohen rrobat banjës dhe ti hiqni pelenën me ujë. Menjëherë pas kësaj duhet ti vishni një pelenë të pastër dhe rroba të thata, për të shmangur acarimet e mundshme të lëkurës. Në rastin e plazhit, është mirë t’i bëni një dush për të hequr të gjithë kripën e ujit.

Me pak fjalë, është normale që prindërit e rinj të kenë dyshime serioze kur marrin fëmijën e tyre për herë të parë ose në pishinë ose në plazh, por nëse tregoheni të kujdesshëm duke ndjekur këshillat e mësipërme çdo gjë do të shkojë sipas planeve.

Lini një koment