Sugjerojmë:

Back to School/ 5 ide për lunch box-in e fëmijëve që nuk kthehen të paprekura në shtëpi

Me fillimin e shkollës rikthehet edhe një nga dilemat e përditshme të prindërve: çfarë t’u vendosim fëmijëve në çantë për të ngrënë?

Ideja nuk është të përgatisim çdo mëngjes një menu perfekte apo ushqime që kërkojnë shumë kohë. Lunch box-i më i mirë është ai që është i thjeshtë, mbahet mirë për disa orë dhe, mbi të gjitha, fëmija ka dëshirë ta hajë.

Ja 5 kombinime fare të thjeshta që mund t’i alternoni gjatë javës:

1. Sanduiç i vogël me proshutë dhe djathë + mollë
Bukë e butë, një fetë djathë dhe proshutë pule ose gjeldeti. Prijeni sanduiçin përgjysmë dhe shtoni disa feta molle ose një frut tjetër që fëmija pëlqen. Pa salca të tepërta që e bëjnë bukën të qullët deri në pushimin e madh.

2. Tost me djathë + kastravec + rrush
Një tost i thjeshtë me djathë funksionon edhe i ftohtë. Shoqërojeni me disa feta kastraveci dhe pak rrush. Nëse fëmija është i vogël, rrushi duhet prerë për së gjati.

3. Mini-pite me djathë + domate qershi + banane
Pitet e vogla mund të përgatiten një mbrëmje më parë dhe të ruhen për mëngjes. Një ose dy mini-pite, disa domate qershi të prera dhe një banane e vogël bëjnë një lunch box të thjeshtë dhe praktik.

4. Tortilla role me pulë dhe djathë + fruta
Nëse ka mbetur pak pulë nga darka, mund ta përdorni të nesërmen. Vendoseni në një tortilla me pak djathë, mbështilleni fort dhe priteni në copa të vogla. Anash mund të shtoni mandarinë, mollë ose fruta të tjera që nuk prishen lehtë.

5. Muffin i bërë në shtëpi + kos + frut
Jo çdo lunch box duhet të ketë sanduiç. Një muffin i thjeshtë me banane ose mollë, një kos i vogël dhe një frut mund të jenë një alternativë e mirë për një ditë të javës. Për kosin, sigurisht, duhet një çantë termike ose mënyrë tjetër për ta mbajtur të freskët.

Një këshillë e vogël që në praktikë bën diferencë: mos e mbushni kutinë me shumë gjëra. Porcionet e vogla janë më praktike dhe më pak dekurajuese për fëmijët sesa një kuti e tejmbushur.

Dhe nuk është e nevojshme që çdo ditë të shpikim diçka të re. Nëse fëmija ka dy ose tre kombinime që i pëlqejnë vërtet, është krejt në rregull t’i përsërisim. Qëllimi nuk është një lunch box perfekt për Instagram, por një kuti që në fund të ditës të kthehet sa më bosh në shtëpi.

Lini një koment