Vera mbaroi, rikthehemi në kuzhinë! 7 receta të thjeshta për t’i dhënë shije shtatorit
Vera ka atë zakonin e bukur të na largojë pak nga kuzhina. Mes pushimeve, plazhit, darkave jashtë dhe vapës që na bën të mendohemi dy herë para se të ndezim furrën, gatimi në shtëpi kalon disi në plan të dytë.
Por shtatori na rikthen te rutina dhe, bashkë me të, edhe te pyetja e përditshme: “Çfarë do të gatuajmë sot?”
Nuk ka nevojë për receta të komplikuara. Për fillimin e vjeshtës duam pjata të thjeshta, të mira dhe që mund t’i përgatisim pa kaluar gjysmën e ditës në kuzhinë. Ja 7 ide që funksionojnë gjithmonë:
1. Makarona me domate, hudhër dhe borzilok Një nga ato receta që të shpëtojnë kur frigoriferi nuk ka shumë për të ofruar. Domate të freskëta ose salcë domatesh, pak hudhër, vaj ulliri, borzilok dhe parmixhan sipër. Gati në rreth 20 minuta.
2. Pulë me patate në furrë Klasike, por pikërisht për këtë arsye nuk zhgënjen. Vendosim pulën dhe patatet në një tavë, shtojmë vaj ulliri, kripë, piper, pak rigon ose rozmarinë dhe e lëmë furrën të bëjë pjesën tjetër. Një sallatë anash dhe darka është gati.
3. Omëletë me djathë dhe perime Për mbrëmjet kur nuk kemi as kohë dhe as dëshirë për të gatuar gjatë. Vezë, pak djathë dhe çfarë kemi në frigorifer: speca, domate, kungull ose spinaq. Edhe më mirë nëse shoqërohet me bukë të thekur.
4. Oriz me pulë dhe perime Një pjatë e vetme dhe një zgjidhje shumë praktike për gjithë familjen. Karotë, qepë, spec, copa pule dhe oriz. Mund të përdorim edhe perimet që na kanë mbetur në frigorifer, ndaj është një mënyrë e mirë për të mos çuar ushqimin dëm.
5. Speca të mbushur me mish dhe oriz Shtatori është ende koha ideale për të shfrytëzuar specat e mirë. Mbushja klasike me mish të grirë, qepë, oriz dhe domate është e thjeshtë dhe mund të përgatitet edhe më herët për t’u futur në furrë kur të vijë ora e darkës.
6. Supë me perime Mbrëmjet po fillojnë të freskohen dhe një supë e thjeshtë fillon të tingëllojë sërish mirë. Patate, karota, kungull, qepë dhe pak makarona të vogla ose oriz mjaftojnë për një vakt të ngrohtë e të lehtë.
7. Kek i thjeshtë me mollë Dhe meqë po rikthehemi në kuzhinë, duhet edhe diçka që ta bëjë shtëpinë të mbajë erë mirë. Një kek klasik me mollë dhe pak kanellë është ndoshta ëmbëlsira më e thjeshtë për të hapur sezonin e vjeshtës.
Shtatori nuk kërkon revolucione në kuzhinë. Mjafton të rikthehemi pak nga pak te gatimi në shtëpi, te recetat që njohim dhe te kënaqësia e një vakti të sapopërgatitur. Vera mbaroi. Kuzhina është sërish e hapur.
Me fillimin e shkollës rikthehet edhe një nga dilemat e përditshme të prindërve: çfarë t’u vendosim fëmijëve në çantë për të ngrënë? Ideja nuk është të përgatisim çdo mëngjes një menu perfekte apo ushqime që kërkojnë shumë kohë. Lunch...
Kjo rizoto kërkon pak durim gjatë gatimit, por rezultati ia vlen. Del kremoze, plot shije dhe shumë e bukur në servirje, falë kombinimit të domateve, burratës dhe borzilokut të freskët. Proshuta krokante është opsionale, ndaj mund ta përgatisni fare...
Nëse keni disa banane të pjekura në shtëpi, kjo është një nga ato receta që ia vlen ta provoni. Vetëm 5 përbërës, pak minuta përgatitje dhe pjesën tjetër e bën furra. Rezultati është një kek i butë, natyralisht i...
Lini një koment