Nëse merreni me sport, mësoni të përgatisni vetë pijen tuaj

Pijet e sportit, plot ngjyra dhe shumë ‘yummy’, na ndihmojnë të freskohemi dhe të zëvendësojmë lëngjet dhe elektrolitet e humbura gjatë stërvitjes. Gjithashtu ato furnizojnë trupin me karbohidrate sepse janë më të lehta për t’u tretur krahasuar me ushqimet e ngurta.

Të mos flasim pastaj për shijen e tyre të këndshme, megjithatë sipas disa kërkimeve, thuhet se pijet e sportit që blihen të konfeksionuara në treg, përmbajnë po aq sheqer sa pijet e gazuara. Disa prej tyre përmbajnë kafeinë në sasi të larta, kurse disa të tjera aciditet të lartë duke ju shkaktuar refluks.

Por si t’ia bëjmë të kemi me vete një pije sportive kur shkojmë në palestër apo në stërvitjen tonë dhe njëkohësisht të shmangim këto avantazhe? Duket se alternativa më e mirë mbetet t’i përgatisim vetë dhe konkretisht ja se si:

Përbërësit:

  • ¼ gote lëng limoni të shtrydhur
  • ¼ gote lëng portokalli të shtrydhur
  • 1/8 luge çaji kripë deti
  • 2 lugë gjelle mjaltë
  • Ujë

 

Përgatitja:

  • Merrni një shishe rreth 700 ml.
  • Hidhni në të kripën e detit, lëngun e portokallit dhe të limonit. Mund t’i zëvendësoni edhe me fruta të tjera në stinën e verës, kur agrumet nuk janë të sezonit, por sigurohuni të jenë natyrale.
  • Shtoni mjaltin.
  • Mbusheni shishen me ujë dhe tundeni mirë.

Kjo është një mënyrë shumë praktike për të përgatitur një pije sporti në shtëpi. Pa sheqer të shtuar dhe pa kalori të tepërta. Pijet e sportit përgjithësisht rekomandohen për stërvitje më të gjata se 45 minuta. Nëse ju stërviteni rreth 20 minuta, mund të pini thjesht ujë./neps.al

Lini një koment