Bruschetta me pjeshkë, burrata dhe mjaltë, kombinimi perfekt për mbrëmjet e verës
E ëmbël, kremoze, krokante dhe pak e kripur: bruschetta me pjeshkë dhe burrata është një nga ato receta ku pak përbërës krijojnë një rezultat shumë më interesant nga sa prisni.
Përbërësit për 6–8 bruschetta
1 baguette ose bukë rustike
2 pjeshkë të pjekura por të forta
200–250 g burrata
2 lugë gjelle vaj ulliri ekstra i virgjër
1–2 lugë gjelle mjaltë
6–8 gjethe borzilok të freskët
Kripë
Piper i zi
Opsionale:
Pak lëkurë limoni
Pak chili flakes
Përgatitja
Priteni bukën në feta rreth 1.5 cm të trasha. Lyejini lehtë me vaj ulliri nga të dyja anët.
Piqini në një tigan grill, skarë ose në furrë në 200°C për rreth 5–8 minuta, duke i kthyer nëse është e nevojshme, derisa të jenë krokante dhe të kenë marrë ngjyrë të artë.
Pritini pjeshkët në feta.
Për një shije më të freskët mund t’i përdorni të gjalla. Nëse dëshironi më shumë ëmbëlsi dhe aromë, vendosini për 1–2 minuta nga secila anë në një tigan grill shumë të nxehtë, pa i zbutur tepër.
Hapni burratën dhe shpërndajeni mbi fetat e bukës së thekur. Vendosni sipër fetat e pjeshkës.
Hidhni një fije të hollë mjalti, pak vaj ulliri, një majë të vogël kripe dhe piper të zi të sapobluar.
Përfundojeni me borzilok të freskët. Nëse dëshironi, shtoni pak lëkurë limoni të grirë shumë imët ose disa chili flakes për kontrast.
Shërbejini menjëherë, që buka të mbetet krokante dhe të mos zbutet nga burrata.
Këshillë NEPS: Pjeshka duhet të jetë aromatike dhe e pjekur, por ende e fortë. Nëse është shumë e butë, do të shpërbëhet mbi bruschetta.
Me fillimin e shkollës rikthehet edhe një nga dilemat e përditshme të prindërve: çfarë t’u vendosim fëmijëve në çantë për të ngrënë? Ideja nuk është të përgatisim çdo mëngjes një menu perfekte apo ushqime që kërkojnë shumë kohë. Lunch...
Vera ka atë zakonin e bukur të na largojë pak nga kuzhina. Mes pushimeve, plazhit, darkave jashtë dhe vapës që na bën të mendohemi dy herë para se të ndezim furrën, gatimi në shtëpi kalon disi në plan të...
Kjo rizoto kërkon pak durim gjatë gatimit, por rezultati ia vlen. Del kremoze, plot shije dhe shumë e bukur në servirje, falë kombinimit të domateve, burratës dhe borzilokut të freskët. Proshuta krokante është opsionale, ndaj mund ta përgatisni fare...
Lini një koment