Spaghetti alla Nerano, receta italiane me kungulleshka që duhet ta provoni këtë verë
Në pamje të parë duket si një pjatë shumë e thjeshtë me makarona dhe kungulleshka, por Spaghetti alla Nerano është një nga recetat më të famshme të Campania-s. Sekreti qëndron te kungulleshkat e skuqura dhe te kremoziteti që krijohet nga djathi, uji me niseshte i makaronave dhe përzierja energjike në fund.
Përbërësit për 4 persona
320 g spaghetti
700–800 g kungulleshka të njoma
120 g Provolone del Monaco, i grirë imët
40 g Parmigiano Reggiano, i grirë
1 thelpi hudhër
1 tufë e vogël borzilok i freskët
Vaj ulliri ekstra i virgjër për skuqjen
Piper i zi
Kripë
Përgatitja
Lani kungulleshkat, hiquni skajet dhe pritini në feta shumë të holla, rreth 2–3 mm. Nëse keni mandolinë kuzhine, rezultati do të jetë më uniform.
Ngrohni një sasi të bollshme vaji në një tigan dhe skuqini kungulleshkat. Mos e mbushni tiganin shumë, sepse në vend që të skuqen do të fillojnë të ziejnë në avull.
Kur të marrin ngjyrë të artë, largojini dhe vendosini mbi letër kuzhine. Shtoni pak kripë dhe disa gjethe borziloku të copëtuara me dorë.
Ndërkohë zieni spaghettit në ujë të bollshëm me kripë. Para se t’i kulloni, ruani të paktën 2 gota nga uji i zierjes. Niseshteja që përmban ky ujë është thelbësore për kremin e Nerano-s.
Në një tigan të madh shtoni 1–2 lugë nga vaji ku skuqët kungulleshkat dhe aromatizojeni shkurtimisht me një thelpi hudhër. Hiqeni hudhrën dhe shtoni pjesën më të madhe të kungulleshkave.
Transferoni spaghettit në tigan 2–3 minuta përpara se të jenë gatuar plotësisht. Shtoni pak ujë nga zierja dhe vazhdoni gatimin duke i përzier vazhdimisht.
Kur pasta të jetë al dente, fikni zjarrin. Prisni disa sekonda që temperatura e tiganit të bjerë pak dhe shtoni gradualisht Provolone del Monaco dhe Parmigiano-n, duke përzier fuqishëm dhe duke shtuar nga pak ujë të ngrohtë të pastës.
Kjo fazë është sekreti: djathi nuk duhet të skuqet apo të vlojë, por të shkrihet me ujin e pasur me niseshte duke krijuar një salcë të lëmuar dhe kremoze.
Shtoni borzilok të freskët dhe piper të zi. Shërbejeni menjëherë, duke vendosur sipër disa nga fetat e kungulleshkave që kishit lënë mënjanë.
Këshillë NEPS: Nëse gjeni Provolone del Monaco, përdoreni, sepse është djathi karakteristik i recetës. Në mungesë të tij mund të përdorni një provolone të stazhionuar, por shija nuk do të jetë identike me versionin tradicional.
Me fillimin e shkollës rikthehet edhe një nga dilemat e përditshme të prindërve: çfarë t’u vendosim fëmijëve në çantë për të ngrënë? Ideja nuk është të përgatisim çdo mëngjes një menu perfekte apo ushqime që kërkojnë shumë kohë. Lunch...
Vera ka atë zakonin e bukur të na largojë pak nga kuzhina. Mes pushimeve, plazhit, darkave jashtë dhe vapës që na bën të mendohemi dy herë para se të ndezim furrën, gatimi në shtëpi kalon disi në plan të...
Kjo rizoto kërkon pak durim gjatë gatimit, por rezultati ia vlen. Del kremoze, plot shije dhe shumë e bukur në servirje, falë kombinimit të domateve, burratës dhe borzilokut të freskët. Proshuta krokante është opsionale, ndaj mund ta përgatisni fare...
Lini një koment