Të freskëta dhe të shijshme, perimet si bizelet, kungujt, bathët, asparagët e karotat janë në kulmin e tyre. Një ide e mirë për t’i gatuar do të ishte një kek i kripur me bizele dhe kunguj: një variant vegjetarian dhe vërtet i shijshëm.
Bizelet janë të freskëta nëse bishtajat kërcasin kur i hapim, kungujt e asparagët duhet të jenë të fortë kurse gjethet e karotave duhet të jenë ngjyrë jeshile e fortë.
Përbërësit:
- 500 gr bizele të freskëta
- 200 gr djathë i njomë
- 180 gr miell
- 80 gr parmixhano
- 3 vezë
- 2 kungulleshka
- 1 dl qumësht i plotë
- Gjysmë bustine maja pluhur
- 0.5 dl vaj ulliri e.v
- Kripë
- Piper
Përgatitja:
- Pasi të keni hequr bizelet nga bishtajat, lajini, kullojini, hidhini në një tenxhere me ujë të vluar për disa minuta, kullojini dhe lërini të ftohen.
- Lani kungujt, thajini, hiquni ekstremitetet dhe grijini trashë në rende, më pas kripini, vendosini në një sitë dhe lërini të kullojnë për 15 minuta në mënyrë që të humbasin ujin e tepërt. Më pas shtypini me kurrizin e një luge për t’i shtrydhur mirë.
- Sitni miellin në një enë bashkë me gjysmë bustine maja, shtoni 3 vezë të rrahura me pak qumësht, ½ dl vaj ulliri, 80 gr pamrixhano të grirë, pak kripë dhe pak piper të bluar. Shtoni edhe kungujt e bizelet, shtojini me kujdes dhe përziejini me një lugë druri derisa të merrni një përbërje homogjene.
- Prisni djathin në kubikë të vegjël, thajini pak me letër kuzhine dhe shtojini tek brumi i përgatitur.
- Transferojeni brumin në një formë keku me kapacitet 1 l të mbështjellë me letër furre dhe nivelojeni me një spatul.
- Piqeni në furrë të ngrohur në 180 gradë për gati 40 minuta. Shërbejeni të vakët ose të ngrohtë.
Lini një koment