Në kërkim të: Ku të shijosh akulloren më të mirë në Tiranë

“Akullore me kajmak

i bën xhaxhi për merak”

Pas një dite rraskapitëse, nuk ka gjë më çlodhëse sesa të ndalosh tek një dyqan akulloreje dhe të lundrosh në shijet e pafundme që ka aty. Për hir të së vërtetës, Tirana ofron një shumëllojshmëri alternativash, kur vjen puna për të shijuar një akullore. Nga lokalet luksoze e deri tek kioskat e thjeshta, akulloret bëjnë për vete një rradhë njerëzish, që sërish shtyhen e shtyhen me njëri-tjetrin për t’i thënë shitëses: “Dua një akullore me çokollatë dhe një me fruta pylli”, “Me straçatel dhe kinder bueno”, -thotë dikush tjetër.

Shijet e akulloreve janë rafinuar shumë, aq sa për shumicën e tyre të duhet medoemos një sqarim nga akullore-shitësi. Duke marrë shkas nga temperaturat e larta dhe nga fakti se të gjitha rrugët të çojnë drejt akulloreve, Neps vendosi të dilte në terren. Kjo për një arsye fisnike: Për t’i treguar ndjekësve të saj 6 super vendet në Tiranë ku mund të shijojnë një akullore të mirë.

Alternativa nr.1  Dyqani “Walkers” 

 

Tek “Walkers” do të gjeni akullore kremoze me copëza boronice, por edhe shumë shije të tjera me fruta të stinës. Akulloret këtu janë jo vetëm të shijshme, por mbi të gjitha PA NGJYRUES! Kjo e fundit është shumë e rëndësishme për shëndetin tonë. Për të gjithë ju që preferoni shijet klasike mund të zgjidhni vaniljen, të përgatitur më së miri në mënyrë artizanale.

Të parezistueshme janë edhe akulloret në të cilat përdoret pak krem dhe shumë qumësht. Një tjetër sugjerim do të ishte edhe akullorja me copëza karamelesh dhe arrash.

 

Alternativa nr.2  “Goody’s Albania” 

 

Në Tiranë ka edhe një vend për ty që ke një ide fikse se akullorja duhet të ketë vetëm një shije. Neps.al sugjeron akulloren me qumësht tek Goody’s , pasi jo vetëm që është tradicionale në llojin e saj, por shërbehet me anë të makinerisë duke e bërë akulloren kremoze.

Më falendero më vonë!

 

Alternativa nr.3  Pasticeri “Reka” 

Për ty që thua: “Eh nuk ka si ato të dikurshmet”, sa herë që shijon një akullore, ky është vendi që duhet të vizitosh  patjetër. Pasticeri “Reka” tek “Pazari i ri”e meriton padyshim emrin e mirë për akulloren. Me një traditë gati shekullore, akulloret e Rekës kanë një shije të plotë dhe unike.

Shijet që ju sugjeron Neps janë 2. “Na ishte njëherë” ku qumështi dhe tradicionalja janë pikat e forta. Nga ana tjetër janë shijet me frutat e pyllit, si për shembull me boronicë. Këto të fundit janë një alternativë shumë e mirë për të gjithë ju që jeni intolerantë ndaj laktozës, pasi përgatiten vetëm me ujë dhe fruta. Copëzat e frutave ndihen edhe në gojë.

Alternativa nr.4 Tek “Titto”

 

Akullore “Titto” është shumë e famshme në zonën e “Xhamllikut”. Nga një sipërmarrje e vogël, “Titto” përpos tortave super të veçanta që ofron, produkteve të pasticerisë, si pikë të fortë ka akulloren. Ato kanë shije ekstravagante dhe disi të forta. Unë zgjodha të marr një akullore me dy kupa, ku njëra ishte me shijen e “Mela verde”, pra me mollë jeshile. Sapo ta zgjedhësh këtë shije do të ndjesh nën gjuhë, copëza molle të karamelizuara.

Po ta shoqërosh me shijen tjetër, pistacchio (fistëkë), u bashkove me shumicën që mendojnë se kjo është absolutisht shija më e mirë tek “Titto” (dhe në fakt rezultonte të ishte një ndër më të shiturat).

Alternativa nr.5  Cioccolatitaliani Tirana”

Ky vend thyen rregullat e servirjes se akullorja duhet të jetë brenda kaushit. Kaushat tek Cioccolatitaliani” mund të jenë sipër akullores, të përmbysur, jashtë, mund të jenë disa e një sërë fantazish të tjera që mund t’i zbuloni duke shijuar një akullore pranë kësaj ëmbëltoreje që ndodhet në zonën e ish-bllokut.

Shija e çokollatës është kryefjala! Aroma është e fortë, njëkohësisht joshëse, autentike dhe e freskët, në përputhje më së miri me stinën e verës.

Alternativa nr.6 “Nocciole”

Mos e besoni po deshët, po një ndër shijet e akullores në foto quhet: “Grindavec”! Për ta zbutur “Grindavecin” e shoqëruam me pak fruta pylli. Nuk është asnjëherë gabim të guxosh, edhe tek shijet e akulloreve madje…!

Po pyet veten çfarë shije ka “Grindaveci”? Ngjason me Amaron (një lloj pijeje alkoolike). Ja ta thashë tani, çfarë pret që ta provosh?

Ideoi dhe realizoi: Neps.al
Fotot: Neps.al 

Lini një koment