Krokante dhe të shijshme, shumë të dashura nga të vegjëlit dhe të rriturit, patatinat janë të shpejta e të thjeshta në përgatitje, përveçse ideale nëse keni dëshirë të organizoni një aperitiv në shtëpi bashkë me miqtë. Kësaj here le t’i lëmë qeset e patatinave në raftet e supermarketit dhe le t’i përgatisim ato vetë, bashkë me fëmijët.
Përbërësit:
- 5 patate
- Kripë (sipas shijes)
- Vaj për skuqje
Përgatitja:
- Qëroni dhe lani patatet, thajini dhe më pas pritini në feta shumë të holla duke përdorur një prerëse. Për të qenë sa më krokante, është shumë e rëndësishme që patatet të priten shumë hollë.
- Nxehni vajin në një tigan dhe më pas, pak nga pak, vendosni fetat e patateve, skuqini dhe më pas, sapo të marrin ngjyrë të artë, hiqini nga vaji dhe vendosini në një pjatë ku keni shtruar letër kuzhine.
- Hidhuni kripë patatinave.
- Në rast se nuk doni t’i skuqni, mund t’i piqni patatinat në furrë. Në këtë rast, vendosini fetat e patateve mbi një tepsi të mbuluar me letër furre dhe t’i piqni në furrë derisa të marrin ngjyrë të artë. Para se t’i piqni në furrë, hidhuni kripë.
*Këshillë
Sipas shijes, aromatizojini patatinat me piper ose rozmarinë. Nëse vendosni t’i piqni në furrë, aromatizojini gjatë pjekjes, kurse në rast se i skuqni, aromatizojini pas skuqjes.
Lini një koment