Në Greqi, djathi feta është një simbol i kuzhinës vendase. Gjendet në të gjitha restorantet, në taverna, në dyqane dhe gjithmonë prezent në shtëpitë e vendasve. Përgatitet nga bashkimi i qumështit të dhisë dhe deles dhe ka një shije të pangatërrueshme. Përmban gjithashtu vlera ushqyese të rëndësishme: proteina, kalcium, 55% ujë dhe për këtë ka karakteristika e një djathi ideal në dieta. Është perfekt për të shoqëruar sallatat.
Djathin Feta mund ta përgatisni edhe në shtëpitë tuaja, vetë, me disa veprime shumë të thjeshta.

Përbërësit (për 4 persona)
- 5 litra qumësht i plotë
- 125 gr kos natyral i plotë
- ½ lugë kafeje farë djathi
- Kripë
Përgatitja:
- Ngrohni qumështin derisa të arrijë temperaturën 38 gradë Celsius, shtojini kosin dhe vazhdoni ta lini edhe për 15 minuta në zjarr duke e mbuluar me kapak.
- Fini zjarrin dhe shtojini farën e djathit. Lëreni djathin që të koagulohet për gjysmë ore derisa të përftoni një xhelatinë.
- Priteni qumështin e koaguluar në kuadrate prej 5 cm, mbulojeni me kapak dhe lëreni të pushojë në temperaturën e ambientit për të paktën 10 orë.
- Pasi ka kaluar kjo kohë, duke përdorur një garuzhde me vrima, merrni qumështin e koaguluar (mpiksur), vendoseni në një formë apostafat dhe lëreni në frigorifer edhe për 10 orë të tjera duke e kthyer nga të dy anët herë pas here.
- Pas këtyre 10 orëve, merrni djathin, hiqeni nga forma, kripeni dhe lëreni në frigorifer për 15 ditë të tjera para se ta konsumoni.

Lini një koment