Sugjerojmë:

Rizoto kremoze me domate, burrata dhe borzilok, një recetë që do ta bësh sërish

Kjo rizoto kërkon pak durim gjatë gatimit, por rezultati ia vlen. Del kremoze, plot shije dhe shumë e bukur në servirje, falë kombinimit të domateve, burratës dhe borzilokut të freskët. Proshuta krokante është opsionale, ndaj mund ta përgatisni fare mirë edhe pa të.

Koha e përgatitjes: 10 minuta
Koha e gatimit: 40 minuta
Porcione: 4

Përbërësit

200 g oriz për rizoto (Arborio ose një lloj tjetër i përshtatshëm)

1 qepë e vogël, e grirë imët

2 thelpinj hudhër

75 ml verë e bardhë

1 litër lëng perimesh

1 lugë gjelle salcë domatesh e koncentruar

1 konservë domate të copëtuara

100 g gjalpë

rreth 50 g djathë parmixhano të grirë

100 g domate të vogla

1 burrata

disa feta proshutë të tharë, sipas dëshirës

borzilok i freskët

vaj ulliri

kripë dhe piper

Përgatitja

Përzieni domatet e konservuara me lëngun e perimeve dhe salcën e koncentruar të domates. Kalojini në blender derisa të bëhen një masë e njëtrajtshme, më pas vendosini në një tenxhere dhe mbajini të ngrohta në zjarr të ulët.

Nëse do të përdorni proshutë, vendoseni në një tavë me letër pjekjeje dhe piqeni për rreth 8 minuta, derisa të bëhet krokante. Pasi të ftohet, copëtojeni.

Ndani domatet e vogla përgjysmë, shtoni pak vaj ulliri, kripë dhe piper dhe piqini në 180°C për 15–20 minuta.

Në një tigan të thellë shkrini 25 g gjalpë me pak vaj ulliri. Shtoni qepën dhe hudhrën dhe kaurdisini në zjarr mesatar derisa të zbuten.

Shtoni orizin dhe përziejeni për rreth një minutë. Hidhni verën e bardhë dhe lëreni të avullojë pjesërisht.

Më pas shtoni gradualisht lëngun e ngrohtë të domates, nga një garuzhde çdo herë. Përziejeni dhe prisni që orizi ta përthithë pothuajse të gjithë lëngun përpara se të shtoni sasinë tjetër. Vazhdoni derisa orizi të jetë gatuar dhe rizotoja të ketë marrë një teksturë kremoze.

Në fund shtoni gjalpin e mbetur dhe parmixhanon. Përziejeni derisa të shkrihen dhe rizotoja të bëhet edhe më kremoze.

Shërbejeni të ngrohtë me burrata të copëtuar sipër, domatet e pjekura, borzilok të freskët dhe, nëse dëshironi, proshutën krokante.

Një këshillë nga NEPS

Mos e hidhni të gjithë lëngun menjëherë. Sekreti i një rizotoje të mirë është ta shtoni pak nga pak, në mënyrë që orizi të lëshojë niseshtenë dhe të krijojë vetë atë kremozitet karakteristik.

Nëse nuk gjeni burrata, mund ta zëvendësoni edhe me mozzarella të freskët, ndërsa qepën shallot të recetës origjinale mund ta zëvendësoni pa problem me një qepë të vogël të zakonshme.

Lini një koment