Më shumë se 70% e ushqimeve për foshnja të analizuara në një studim të ri rezultojnë të jenë ultra të përpunuara dhe të përmbajnë aditivë që kërkimet e fundit i lidhin me inflamacion dhe çrregullime të mikrobiomës së zorrëve. Studiuesit shqyrtuan 651 produkte për foshnja dhe fëmijë të vegjël dhe zbuluan se në 71% të tyre përbërësi kryesor nuk ishte frut apo perime, por një ose më shumë aditivë.
“Ajo që më tronditi ishte se përbërësi kryesor në 71% të këtyre ushqimeve nuk ishte një frut apo perime, por aditivë,” tha autorja kryesore Elizabeth Dunford, pedagoge e asociuar e ushqyerjes në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill dhe konsulente në The George Institute for Global Health. Sipas saj, shumë prej këtyre përbërësve janë shtuar vetëm për arsye kozmetike, për ta bërë ushqimin më tërheqës vizualisht, jo sepse janë të nevojshëm.
Studiuesit identifikuan 105 aditivë të ndryshëm. Rreth 36% e produkteve përmbanin përforcues sintetikë të shijes si karagenani, i lidhur në disa studime me inflamacion të zorrëve. Trashës si karagenani, goma ksantane dhe goma guar u gjetën në 29% të produkteve, ndërsa ngjyruesit sintetikë dhe emulsifikuesit në 19%. Një studim i vitit 2025 gjeti lidhje mes disa prej këtyre trashësve dhe emulsifikuesve dhe rritjes së rrezikut për diabet të tipit 2.
Ekspertët paralajmërojnë se sistemi tretës i foshnjave nuk është plotësisht i zhvilluar për të përballuar aditivët në të njëjtën mënyrë si një i rritur. “Ne e dimë që zorrët e foshnjave nuk janë zhvilluar sa duhet për të përballuar këta përbërës. Nuk ka nevojë për ta; janë thjesht për ta bërë produktin të duket më tërheqës,” tha Dunford.
Problemi nuk kufizohet vetëm te aditivët. Sheqeri i shtuar u gjet vetëm në produktet ultra të përpunuara dhe në nivele shumë më të larta, sidomos në snack-et për foshnja dhe fëmijë të vegjël, ku disa produkte përmbanin 2.5 herë më shumë sheqer. Studime të tjera kanë treguar se rritja e konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara lidhet me rrezik më të lartë për obezitet, diabet të tipit 2 dhe sëmundje kardiovaskulare.
Jane Houlihan, drejtoreshë kërkimi në organizatën Healthy Babies, Bright Futures, paralajmëron se preferencat ushqimore krijohen që në vitet e para të jetës. “Foshnjat e ekspozuara ndaj ushqimeve ultra të përpunuara mësojnë të preferojnë sheqerin dhe aromat artificiale mbi ushqimet natyrale, të pasura me lëndë ushqyese. Kompanitë duhet ta bëjnë më të lehtë për familjet të zgjedhin shëndetshëm,” tha ajo.
Edhe pse debati rregullator vazhdon, ekspertët theksojnë se prindërit mund të bëjnë zgjedhje më të informuara duke lexuar me kujdes listën e përbërësve dhe duke favorizuar produkte me përbërës të thjeshtë e të njohur. Nëse lista është e gjatë dhe e vështirë për t’u kuptuar, gjasat janë që produkti të jetë ultra i përpunuar.
Lini një koment