Buka, ushqimi më i zakonshëm dhe më i përditshëm në tryezën e çdo familjeje shqiptare, rezulton të jetë burim rreziku për shëndetin. Analizat laboratorike të kryera nga Inside Story kanë zbuluar praninë e arsenikut inorganik në bukë, një substancë toksike e lidhur drejtpërdrejt me kancerin dhe sëmundje të tjera serioze. Dhe pikërisht këtu nis problemi më i madh: nuk ka asnjë standard, asnjë kufi ligjor dhe asnjë institucion nuk mban përgjegjësi.
Sipas analizave, niveli i arsenikut inorganik rezulton 0.266 miligram për kilogram. Duke qenë se buka e analizuar peshon rreth 800 gram, kjo do të thotë se konsumatori përthith një sasi të konsiderueshme të kësaj lënde toksike vetëm nga buka. Mjekët e cilësojnë këtë nivel problematik dhe alarmant, veçanërisht për shkak të konsumit të përditshëm dhe masiv të bukës në Shqipëri, nga fëmijët te të moshuarit.
Arseniku inorganik është forma më e rrezikshme e kësaj substance. Ai lidhet me kancerin e lëkurës, mushkërive, sëmundjet e zemrës, infertilitetin dhe dëmtime të tjera të rënda afatgjata. Mjekët theksojnë se nuk ekziston një dozë e sigurt kur bëhet fjalë për ekspozim të vazhdueshëm dhe se rreziku rritet ndjeshëm kur substanca grumbullohet në organizëm nga burime të ndryshme ushqimore.
Në Shqipëri nuk ekziston asnjë normë e përcaktuar për nivelin e lejuar të arsenikut në bukë. Në udhëzimin zyrtar të datës 9 shkurt 2024, ku përcaktohen limitet për disa kontaminues në ushqime, buka nuk përmendet fare. Ka kufij për orizin, por jo për bukën, ndonëse ajo është produkti më i konsumuar në vend.
Mjekët këmbëngulin se për një ushqim bazë si buka, prania e arsenikut në çdo formë duhet të konsiderohet rrezik. Sipas tyre, mungesa e një standardi është dështim institucional.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) siç gjithmonë e ka zakon, as këtë herë nuk ka dhënë asnjë sqarim publik. Pyetjet drejtuar këtij institucioni mbi analizat për metalet e rënda në bukë dhe kriteret që përdoren për arsenikun kanë mbetur pa përgjigje. Burime pranë institucioneve të linjës pranojnë në mënyrë informale se analiza të tilla janë të rralla, për të mos thënë pothuajse nuk kryhen fare.
Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të konsumojnë çdo ditë bukë pa asnjë garanci për sigurinë e saj.
Por arseniku nuk është problemi i vetëm. Analizat kanë nxjerrë në pah edhe një mashtrim të hapur me bukët që shiten si “integrale”. Një nga mostrat e analizuara përmbante vetëm 0.82 gram fibra për 100 gram produkt. Praktikisht zero. Ekspertët thonë se një bukë integrale duhet të ketë të paktën 6 gram fibra për 100 gram, standard që aplikohet gjerësisht në Bashkimin Evropian.
Kjo do të thotë se konsumatorët po blejnë një produkt që nuk është ai që u premtohet. Buka nuk është integrale, por e ngjyrosur artificialisht për t’u dukur e tillë. Ngjyruesit dhe aditivët përdoren për të imituar bukën e zezë, ndërsa fibrat mungojnë pothuajse plotësisht.
Sipas ekspertëve, ky është mashtrim i qëllimshëm. Prodhuesit e dinë shumë mirë se çfarë po shesin, por kontrolli nuk funksionon dhe ndëshkimet mungojnë. Aditivët, përveçse nuk kanë asnjë vlerë ushqyese, lidhen me rreziqe serioze për shëndetin, përfshirë zhvillimin e kancerit.
Shqipëria, sipas specialistëve, nuk ka as kapacitetet laboratorike për të dalluar nëse buka është e zezë për shkak të grurit integral apo për shkak të ngjyruesve artificialë. Kjo e bën situatën edhe më të rrezikshme për konsumatorin.
Një mungesë kontrolli, mungesë transparence dhe mungesë përgjegjësie. Arseniku nuk vjen vetëm nga buka, por edhe nga uji, orizi, lëngjet dhe ushqime të tjera. Organizmi nuk e dallon burimin, por grumbullon toksinat, duke rritur rrezikun, sidomos për fëmijët.
Ky alarm nuk mund të anashkalohet. Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë hanë dhe të mbrohen nga një treg ushqimor ku fitimi vjen përpara shëndetit. Heshtja institucionale, në këtë rast, është rrezik real për shëndetin publik.
Lini një koment