Nëse deri dje në supermarket merrnit kos pa u menduar dy herë, tani me siguri keni vënë re edhe një produkt tjetër që po bëhet gjithnjë e më popullor: Kefiri.
Shumë njerëz e ngatërrojnë me kosin, por në fakt kefiri është diçka krejt tjetër dhe ekspertët e ushqimit po flasin gjithnjë e më shumë për përfitimet e tij.
Kosi dhe kefiri janë të dy produkte të fermentuara, por ndryshimi kryesor qëndron tek bakteret dhe mënyra si prodhohen.
Kosi ka një strukturë më të trashë, më kremoze dhe zakonisht është më i pasur me proteina.
Ai fermentohet zakonisht me 2 lloje kryesore bakteresh:
Lactobacillus bulgaricus
Streptococcus thermophilus
Përfitimet:
Burim shumë i mirë proteinash
Ka kalcium dhe vitamina B
Ndihmon tretjen
Jep ndjesi ngopjeje
I mirë për muskujt dhe kockat
Kefiri ndërkohë është më i lëngshëm, pak më acidik në shije dhe përmban shumë më tepër probiotikë, pra bakteret “e mira” që ndihmojnë florën intestinale.
Ai fermentohet me “kokrra kefiri”, që përmbajnë shumë më tepër mikroorganizma:
baktere të mira
maja natyrale (yeast)
Përfitimet:
Ka shumë më tepër probiotikë
Ndihmon florën intestinale
Mund të ndihmojë fryrjen dhe kapsllëkun
Shpesh tolerohet më mirë nga personat me intolerancë ndaj laktozës
Mund të ketë efekt më të fortë në imunitet dhe tretje
Pra, kefiri konsiderohet nga shumë specialistë si më i fuqishëm për tretjen, fryrjen e barkut dhe shëndetin e zorrëve. Disa madje e quajnë “bombë natyrale probiotikësh”. Për këtë arsye, shumë persona që kanë stomak sensitiv apo probleme me tretjen po e zëvendësojnë gradualisht kosin me kefir.
Nga ana tjetër, kosi vazhdon të mbetet favorit për mëngjesin, dietat dhe palestrën, sepse ngop më shumë dhe ka më tepër proteina, sidomos versioni grek.
Por ka edhe një detaj që shpesh harrohet: jo çdo kos apo kefir në raft është automatikisht i shëndetshëm. Shumë variante industriale kanë sheqer të shtuar dhe pak kultura aktive, ndaj versionet natyrale dhe pa sheqer mbeten zgjedhja më e mirë.
Pra, cili fiton?
Nëse kërkoni më shumë proteina dhe ngopje, kosi mbetet zgjedhja klasike. Nëse doni më shumë probiotikë dhe ndihmë për stomakun, kefiri ka avantazh. Gjithçka varet nga ajo që i duhet trupit tuaj më shumë.
Lini një koment