Të gjithëve na ka ndodhur të kalojmë shumë orë pa ngrënë dhe papritur të fillojnë dridhjet, dobësia apo djersitja e ftohtë. Shumë njerëz e lidhin thjesht me urinë, por në fakt pas kësaj fshihet një reagim i tërë i organizmit.
Kur nuk ushqehemi, niveli i sheqerit në gjak fillon të bjerë. Glukoza është burimi kryesor i energjisë për trupin dhe sidomos për trurin. Në momentin që ajo ulet më shumë seç duhet, organizmi futet në gjendje alarmi dhe nis të reagojë menjëherë.
Një nga reagimet kryesore është lirimi i adrenalinës, hormonit të stresit. Pikërisht adrenalina është ajo që shkakton dridhjen e duarve apo të trupit, rrahjet më të shpejta të zemrës dhe ndjesinë e ankthit apo nervozizmit.
Në të njëjtën kohë, muskujt mbeten pa energjinë e nevojshme për të funksionuar normalisht. Kjo mund të sjellë:
dridhje të trupit
lodhje të menjëhershme
marramendje
dobësi
vështirësi në përqendrim
djersitje të ftohta
Tek disa persona mund të bjerë edhe tensioni, sidomos nëse janë të dehidratuar, kanë ngrënë shumë pak gjatë ditës ose kanë bërë aktivitet fizik pa konsumuar ushqim.
Kjo situatë ndodh më shpesh tek:
personat që kalojnë shumë orë pa ngrënë
ata që konsumojnë shumë sheqer dhe më pas ulet menjëherë glukoza
personat me metabolizëm të shpejtë
njerëzit me anemi ose probleme me sheqerin në gjak
Ekspertët këshillojnë që të mos anashkalohet vakti i mëngjesit dhe të konsumohen ushqime që mbajnë më gjatë energjinë, si proteinat, fibrat dhe karbohidratet e mira.
Megjithatë, nëse dridhjet ndodhin shpesh edhe pasi ushqeheni, ose shoqërohen me dobësi ekstreme, konfuzion apo ndjesi të fikëti, rekomandohet kontroll mjekësor pasi mund të lidhen me probleme si hipoglicemia, anemia apo çrregullime hormonale.
Lini një koment