Ajo që për vite është parë si diçka normale në kuzhinë, sot po vihet seriozisht në pikëpyetje. Shkencëtarë nga vende të ndryshme po kërkojnë që zierja e karavidheve të gjalla të ndalohet, pasi studimet e fundit tregojnë se ato mund të ndiejnë dhimbje në mënyrë shumë më reale nga sa mendohej.
Kërkimet më të fundit, përfshirë një studim të vitit 2026 nga Universiteti i Goteborgut, kanë nxjerrë në pah se karavidhet dhe krustacet e tjera, si gaforret apo karkalecat, reagojnë ndaj dhimbjes dhe stresit në mënyrë të ngjashme me kafshë shumë më të zhvilluara. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për refleks, por për një reagim të vërtetë të sistemit nervor.
Në eksperimente konkrete, është vënë re se kur këtyre kafshëve u jepen qetësues dhimbjeje, ato reagojnë më pak ndaj stimujve të fortë si goditjet elektrike. Për shumë studiues, kjo është një provë e fortë që dhimbja që përjetojnë nuk është thjesht instinktive.
Këto gjetje kanë hapur një debat të madh: nëse e dimë që një krijesë ndien dhimbje, a duhet të vazhdojmë ta trajtojmë njësoj? Pikërisht për këtë arsye, disa vende kanë nisur të ndalojnë zierjen e krustaceve të gjalla, ndërsa në shumë të tjera po diskutohet për ndryshime të ngjashme.
Ekspertët nuk po flasin për ndalimin e konsumit të tyre, por për një ndryshim të mënyrës si përgatiten. Qëllimi është i qartë: të minimizohet dhimbja sa më shumë, duke përdorur metoda më humane përpara gatimit.
Kjo nuk është vetëm një çështje kuzhine, por një reflektim më i madh për mënyrën si trajtojmë kafshët dhe si përshtatemi me atë që na tregon shkenca. Sepse ndonjëherë, ajo që kemi bërë gjithmonë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se është edhe mënyra e duhur.
Ekspertët në Hatfield Marine Science Centre sugjerojnë një metodë më praktike që supozohet të jetë më pak e dhimbshme për to.
Si të “vritet në mënyrë humane” një karavidhe:
- Vendoseni karavidhen në frigorifer në rreth 2°C për 15–30 minuta për ta mpirë (kjo ngadalëson metabolizmin dhe ul reagimin)
- Vendoseni me barkun poshtë në një sipërfaqe të qëndrueshme
- Gjeni kryqin e vogël ose gropëzën në pjesën e pasme të kokës, rreth 2–3 cm pas syve
- Futni një thikë të mprehtë ose kaçavidë në atë pikë derisa të kalojë në anën tjetër të guaskës, duke e rrotulluar për të shkatërruar sistemin nervor qendror
- Gjeni vrimën e vogël poshtë bishtit dhe përsëriteni procesin
- Vendoseni sërish karavidhen në frigorifer për t’u siguruar që është e eutanazuar në mënyrë humane
Lini një koment