Brioshët e mëngjesit mund të provojmë t’i zëvendësojmë fare mirë me këto ëmbëlsira të shijshme, mbushja e të cilave zakonisht është me krem pastiçerie, por tani që është kohë qershish, mbushja gjithashtu me glikonë e këtyre frutave do të ishte e mrekullueshme.
Përbërësit për brumin:
500 gr miell 00
250 gr gjalpë
4 të verdha vezësh
1 shkop vanilje
200 gr sheqer pluhur
Për mbushjen:
50 gr miell 00
500 ml qumësht
6 të verdha veze
1 shkop vaniljeje
150 gr sheqer
Disa kokrra gliko qershie
Për lyerjen:
1 e verdhë veze
3 lugë gjelle pana e freskët ose qumësht
Përgatitja:
Për të realizuar këto ëmbëlsira, filloni me përgatitjen e kremit: ngrohni qumështin në zjarr të ulët me shkopin e vaniljes të hapur. Ndërkohë rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin dhe shtoni miellin e situr. Këtë përbërje shtojeni më pas tek qumështi dhe përziejini në zjarr të ulët me rrahëse vezësh. Pasi kremi të jetë trashur, vendoseni në frigorifer të ftohet me një qese kuzhine sipër.
Ndërkohë përgatisni brumin: hidhni miellin dhe gjalpin e ftohtë në mikser dhe frulojini për të krijuar një brumë me kokrriza. Vendoseni brumin në planin e punës. Shtoni sheqerin, farat e vaniljes, të verdhat e vezëve dhe punojeni shpejt e shpejt derisa të merrni një masë kompakte dhe elastike. Mbështilleni brumin me një qese plastike dhe vendoseni në frigorifer të pushojë për të paktën gjysmë ore.
Pasi të ketë kaluar kjo kohë, shtrijeni brumin mbi një plan pune të spërkatur me miell dhe hapeni me një petëz në trashësinë gjysmë centimetri. Merrni disa forma të vogla pjekjeje, lyejini me gjalpë, spërkatini me miell dhe vendosni brumë në to duke e hapur mirë tek baza dhe anët. Më pas tek secila formë shtoni dy lugë kafeje krem pastiçerie dhe nga një kokërr gliko qershi. Mbyllini me copa brumi të prera paraprakisht duke u kujdesur t’i bashkoni mirë anët.
Rrihni një të verdhë vezësh me disa lugë qumësht ose pana dhe lyeni me këtë përzierje sipërfaqen e ëmbëlsirave. Piqini në furrë të ngrohur në 180 gradë për 30-35 minuta. Kur të jenë gati, hiqini nga furra, lërini të ftohen dhe shijojini sa janë ende të ngrohta.
Nëse kërkoni një pjatë verore të shpejtë, kombinimi i kungulleshkave të pjekura, djathit të bardhë dhe limonit është një nga më të thjeshtat. Kungulleshkat piqen në temperaturë të lartë që të marrin ngjyrë pa u bërë të qullëta, ndërsa...
Orzo duket si oriz, por në fakt është një lloj paste e vogël. Në këtë recetë gatuhet me domate qershi dhe kungulleshka, ndërsa feta, limoni dhe borziloku i japin freskinë që kërkon një pjatë vere. Përbërësit për 4 persona...
E ëmbël, kremoze, krokante dhe pak e kripur: bruschetta me pjeshkë dhe burrata është një nga ato receta ku pak përbërës krijojnë një rezultat shumë më interesant nga sa prisni. Përbërësit për 6–8 bruschetta 1 baguette ose bukë rustike...
Lini një koment