Sugjerojmë:

Si të përgatisësh pjatën perfekte të antipastave me djathë

Kur ke ndërmend të organizosh një mbrëmje argëtuese dhe pa ngarkesë me miqtë, për të shijuar një bisedë para një gote me verë, asgjë nuk është më e përshtatshme sesa një antipastë me djathëra. Por si të ndërtosh pjatën perfekte dhe si të kombinosh shije të ndryshme mes të ëmblave, të kripurave e të athëtave? Ja disa këshilla që do ju ndihmojnë.

Në fazën e blerjeve

Mundohuni të blini gjithnjë tek shitës të besuar, tek të cilët nuk e vini në dyshim cilësinë. Zgjidhni 3 lloje djathërash të ndryshëm për nga tekstura dhe lloji i qumshtit, nëse do të keni edhe disa shoqërues të tjerë. Por nëse ylli i pjatës do të jetë vetëm djathi, zgjidhni 5 lloje të ndryshme. Për sa i përket sasisë, llogarisni që për një person, të ketë nga 30 gram nga secili lloj djathi. Përfshini të paktën një lloj djathi të butë si Brie, një shije të fortë si djathi blu dhe një lloj të veçantë me të cilin mund të surprizoni qiellzat e të ftuarve tuaj.

Ndërtimi i pjatës

Sigurohuni që ta keni nxjerrë djathin nga frigoriferi 2-3 orë përpara servirjes, pasi duhet të jetë në temperaturë ambienti. Jini kreativë me pjatën apo dërrasën prerëse në të cilën do ta servirni. Për djathërat e butë që nuk doni t’u prishni formën, prisni vetëm një trekëndësh dhe lërini të ftuarit të vetëshërbehen. Djathërat më të fortë sugjerohet që të priten në porcione të vogla dhe jo domosdoshmërisht në formë të rregullt.

Zgjedhja e shoqërueseve

Shoqëruesit klasikë të djathit janë mjalti, reçeli, ullinjtë, fiqtë, sallamrat, dardhat dhe frutat e thata, por kushdo mund të eksperimentojë. Provoni të shoqëroni djathin Gouda me çokollatë, apo djathin blu me karamel. Në përgjithësi. Djathrat shumë të kripur e me shije të fortë kombinohen mjaft mirë me shoqërues të ëmbël. Por për të ftuarit me shije disi të vështira, mbani gjithnjë si opsion diçka më neutrale, si buka e thekur apo proshuta.

Lini një koment