Sugjerojmë:

Gripi i shpendëve në Shqipëri: Nga kujdesi në gatimin e pulës e vezëve tek rritja e ҫmimit, ҫ’duhet të dinë konsumatorët

Shqipëria së fundmi është përfshirë nga një valë e gripit të shpendëve H5N8 ku pas evidentimit të rasteve të para gjatë ditës së dielë, të hënën janë regjistruar me mijëra shpendë të ngordhur në pularitë e qytetit të Durrësit si pasojë e kësaj sëmundjeje.

Por ҫ’duhet të dinë kosumatorët për pulat e destinuara për gatim dhe nënproduktet e tyre?

Sipas një njoftimi të bërë nga Ministra e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, mishi i pulës duhet të gatuhet në temperaturë mbi 70°C që të mos përbëjë rrezik për konsumatorin. Vezët gjithashtu duhet të jenë të mirëgatuara pasi temperaturat e larta të gatimit asgjësojnë virusin.

“Ftojmë konsumatorët të mos bien pre e spekulantëve që mund të tregtojnë mish shpendësh pa certifikatë veterinare ose në kushte të papërshtatshme tregtie a magazinimi dhe të denoncojnë menjëherë në numrin jeshil pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit: 0800 7575. Sugjerohet që ushqimet e mishit të shpendëve të llojit pulë të gatuhen në temperatura mbi 70°C dhe vezët po ashtu të jenë të mirëgatuara. Gatimi i plotë i mishit dhe vezëve siguron pamundësinë e virusit për prani në produkte të papërpunuara që hyjnë në zinxhirin ushqimor. Nuk ka prova epidemiologjike se ky virus mund të transmetohet tek njerëzit përmes ushqimit (shpendëve e vezëve). Virusi është i ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe dezinfektuesve po ashtu, prandaj praktikat e mira higjienike (dezinfektimi i sipërfaqeve) dhe higjiena personale (larja e duarve) ndihmon në kontrollin e rrezikut. Nëpërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit njoftojmë konsumatorët se ushqimet me origjinë shpendore në treg janë brenda standardeve të gjurmueshmërisë dhe janë të verifikuara nga inspektorët tanë, të cilët po rivërejnë në terren çdo subjekt tregtues, përpunues mishi shpendësh për një perputhje të plotë të gjurmueshmërisë.”-shkruhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë.

Sakaq, kjo epidemi nuk do të kalojë pa u ndjerë dhe në xhepat e qytetarëve. Sipas revistës Monitor, krahasuar me javën e kaluar ҫmimi i vezëve është rritur me 14%, duke shkuar në 24 lekë për kokërr, një rritje kjo e lidhur drejtpërdrejt me pasojat e gripit të shpendëve që ka përgjysmuar numrin e pulave prodhuese. Sakaq, sipas ekspertit të menaxhimit të fermave blegtorale Edi Ferro, ҫmimi pritet të rritet edhe më shumë në javët në vazhdim.

Në një intervistë për Monitor, ai është shprehur: “Çmimi i vezës pritet të shtrenjtohet deri 40 lekë apo me shumëe. Arsyeja e shtrenjtimit është ngordhja e 500 mijë pulave prodhuese. Në të gjithë vendin jane 1 mln pula që prodhojnë vezëa. Nga sëmundja janë prekur edhe pulat e oborrit. Operatorët prodhues gjithashtu prej 1 viti po përballen me çmimet e larta të bazës ushqimore për pulat. Në këtë situatë është e domosdoshme që shteti të ndërhyjë për subvencionimin e zëvendësimit të pulave, në të kundërt situata do të jetë katastrofike. Për 2-3 muaj në treg do të mungojë veza.”

Lini një koment