Sugjerojmë:

Frymëzuar nga duart e gjyshes: Historia e bukur pas lakrorit më të famshëm të Tiranës

Aldo i vogël ndoshta s’do ta kishte besuar nëse dikush do t’i thoshte se teksa shihte gjyshen e tij duke zënë me duart me miell brumin e lakrorit të tij të dashur, gjithashtu po brumoste brenda tij bazat për një ëndërr që do ta bënte realitet kur të rritej. Gjithçka e lindur spontanisht, pa plan e pa eksperiencë në biznesin e restoranteve. Kështu ka lindur “Lakror’Ane”, restoranti i vogël e i ngrohtë ku piqet lakrori më i famshëm i Tiranës.

“Iniciativa për të nisur këtë biznes më ka ardhur duke parë dashurinë e gjyshe Anesë e më pas nënës time për gatimet tona tradicionale e veçanërisht lakrorit,”-shprehet Aldo, i cili sot është sipërmarrësi që qëndron pas një prej restoranteve pa dyshim më të veçantë të kryeqytetit, që synon jo vetëm t’u ofrojë klientëve ushqim të mirë e të shijshëm, por edhe të mbajë gjallë traditën e kulinarisë shqiptare.

“Prandaj çdo punë duhet bërë me pasion e dashuri. Unë e shoh si një lloj riedukimi të të ushqyerit,” rrëfen ai duke shpjeguar se ky rikthim tek tradita nuk i shërben vetëm shijes apo të të ushqyerit shëndetshëm e sipas stinës, por ka edhe impaktin e vet ekonomik.

“Përbërësit i sigurojmë duke përdorur më së shumti prodhime vendase, duke ndihmuar kështu dhe tregtarët e vegjël nëpër tregje, duke u munduar të zgjedhim produktet më të mira e të freskëta.”-tregon ai. “Dy gjëra janë kryesore për një sipërmarrje afatgjatë: Mëshoji cilesisë së produktit që të jetë konstante kurdo herë, pra të mos ndryshojë dora. E dyta: Këmbëgulje dhe mirësjellje, me bindje për atë çka ofroni në komunitet!” Dhe Ado duket se ia ka dalë me sukses.

Vështirë të ndash se cili është më i ngrohtë, lakrori ekselent apo ambienti i restorantit, që të zhyt në kujtimet e fëmijërisë e të sjell nostalgjinë e kuzhinës së gjyshes. Perfekt për një vakt me familjen, apo për t’i treguar dikujt traditën e vërtetë të kulinarisë shqiptare.

Lini një koment