A është e sigurt dhe etike të porosisni ushqim online gjatë emergjencës së koronavirusit?

Gjendja e shtetrrethimit për shkak të koronavirusit të ri, tanimë po izolon gjithnjë e më shumë qytete kudo nëpër botë. Një pjesë e mirë e biznesit, e sidomos ai i ushqimit e ka kaluar fokusin tek shërbimi online. Pra ti porosit çfarë të duash më një të rënë të tastierës dhe porosia vjen aty ku je ti.

Diçka e tillë ka ndodhur edhe në vendin tonë (për më tepër lexo këtu).

Nuk janë të pakta restorantet për shembull që edhe në këto ditë ofrojnë shërbim delivery. Por në të tilla raste na ndodh të jemi përpara një dileme etike. A ia vlen të porosisim ushqim online, duke i “detyruar” në një farë mënyre disa punëtorë të dalin në punë, për një pagë deri diku qesharake dhe duke i ekspozuar përballë një rreziku që ne personalisht nuk duam ta marrim?

A janë të rrezikuar shpërndarësit nga COVID-19? 

Ja se çfarë thotë Dr Thomas Tsai, ekspert i sëmundjeve infektive:

“Virusi Covid-19 merret nga pikat e transmetuara përmes kollitjes dhe tështitjes. Ekziston një sfidë unike për korrierët e shpërndarjes së ushqimit të cilët potencialisht udhëtojnë ndërmjet vendeve të shumta. Sidomos nëse ata po bëjnë dërgesa për familjet që janë në karantinë sepse janë testuar pozitivisht për infeksionin. Duke pasur parasysh numrin e njerëzve që ata shohin çdo ditë, dorëzuesit janë ndoshta nga ata që rrezikojnë më shumë nga ekspozimi, kështu që ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Nëse mund të minimizojnë shpërndarjen e panevojshme të ushqimit, duhet ta bëjnë”.

A ka mënyra për të ulur rrezikun si për klientët ashtu edhe për korrierët?

Dr Stephen Morse, epidemiolog thotë se:

Mund të duket ekstreme, por një shpërndarës i ushqimit mund ta lërë pakon përballë derës dhe të largohet. Nuk ka nevojë për kontakt të drejtpërdrejtë. Edhe distanca me klientin është për t’u konsideruar. Mund të transmetohen viruse përmes objekteve prandaj duhet ta minimizojmë këtë mundësi me një higjienë të mirë të duarve. Shpërndarësit e ushqimit duhet t’i lajnë duart dhe t’i higjenizojnë ato pas çdo shërbimi që bëjnë.

A është koronavirusi i transmetueshëm përmes enëve të ushqimit ose ushqimit?
Deri më tani mendohet se ushqimet e gatuara minimizojnë rrezikun e çdo transmetimi të virusit. Gjithsesi në kushtet e një virusi me shumë të panjohura është e rëndësishme të ruajmë higjienën maksimale në çdo hap të procesit të gatimit.

https://www.instagram.com/p/B-HbPT4HS64/

Dhe së fundmi, a është etike të porosisni ushqimin online në këto kohë? 

Carissa Véliz, eticiene:

Shoqëria gjithmonë mbështetet tek një pakicë e njerëzve për të kryer punë të rrezikshme ose të pakëndshme që jo të gjithë janë të gatshëm t’i bëjnë. Për të qenë etikë në mënyrë ideale, ata njerëz duhet të paguhen më shumë se të tjerët që kanë punë më të rehatshme. Mundohuni të bëni më të mirën tuaj. Nëse porosisni, trajtojini korrierët me mirësi dhe përcilljani shqetësimet tuaja etike kompanive. Pyesni nëse punët po bëhen sa më të sigurta të jetë e mundur. Nëse e bojkotoni, sigurohuni që kompanitë ta dinë pse po e bëni këtë, përndryshe masat tuaja nuk do të ketë efektin e dëshiruar. Supozoni se ju porosisni nga një biznes familjar, ku ata janë të kujdesshëm ndaj punëtorëve të tyre dhe kështu me radhë. Atëherë deri këtu s’kemi të bëjmë me asgjë jo etike. Përkundrazi, shqetësimi është që bizneset e vogla do të kalojnë një periudhë të vështirë gjatë kësaj kohe dhe kjo do të jetë e tmerrshme për ekonominë në tërësi dhe për familjet gjithashtu. Kështu që ne duhet ta ekuilibrojmë këtë fakt”.

3 gjëra për mos t’u harruar nëse motorristi vjen në adresën tuaj:

  1. Bakshishi- Sadopak, do ta motivonte shumë në këto kohë të vështira.
  2. Distancimi social- Ruaj veten, por edhe tjetrin nga rreziku i transmetimit të COVID-19.
  3. Ki konsideratë- Nëse ndodh të ketë ngatërresa në porosi, kuptoje. Në këto kohë fluksi i punës dhe presioni për hir të së vërtetës është i madh!

Përshtati nga The Guardian/Adela Zeneli 

Lini një koment