Intervista/ Ushqimi i mirë i bashkon njerëzit! Ja përse e dashurojmë “Paparen” e Mirelës

Çdo javë Neps.al do të sjellë për të gjithë lexuesit e saj, intervista me blogeret/blogerët më të famshëm në fushën e ushqimit në Shqipëri, por edhe përtej kufijve të saj. Kjo rubrikë e re starton sot, për t’u pasuar në vazhdim nga intervista të tjera.

Këto të fundit do të na zbulojnë  plot të reja, përtej recetave që ju shihni të realizuar me aq kujdes në faqet respektive të blogereve. Le të mësojmë pak më tepër rreth mundit, sakrificës, orëve pa gjumë, rrathëve poshtë syve, por edhe talentit apo pasionit që mishërohet tek blogeret e ushqimit.

Ajo është një nënë, bashkëshorte, vajzë, shoqe e një komshie shumë e mirë ndoshta për dikë, por për ju që e ndiqni në Instagram ajo është blogerja më e njohur e ushqimit: “Papare, the beauty of small things”.  Me një thjeshtësi që e karakterizon, Mirela pranoi menjëherë t’i përgjigjej ftesës së Neps.al për një intervistë dhe na zbulon shumë detaje, që ndoshta me gjasa, nuk i keni ditur më parë.

Duke filluar nga kuptimi i emrit të pazakontë që ajo ka zgjedhur për faqen, sfidat e të qenit një blogere ushqimi dhe punëve të përditshme që i duhet të bëjë për të fituar jetesën, Mirela i zbulon të gjitha pa doreza!

Profili i saj tepër i kuruar, recetat e zgjedhura me kujdes, për hir të së vërtetës bëjnë diferencën dhe po mos ta dish që prapa tyre fshihet pikërisht Mirela, me gjasa do mendonim që do të ishte dikush tjetër, i famshëm diku në cepin tjetër të globit.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë: 

Përshëndetje Mirela. Besoj e di që je ndër blogeret më të njohura të ushqimit, jo vetëm në televizor, por edhe në rrjetet sociale. Çfarë ndjesie ju jep ky fakt?

Përshëndetje, jam vërtet mirënjohëse ndaj atyre që më ndjekin dhe i falenderoj, por të jem e sinqertë më duket përgjegjësi sepse duhet të jesh gjithmonë aty, çdo ditë. Emri FOOD BLOGERE është shumë herë më i gjerë se një foto dhe recetë. Duhet ta duash dhe ta njohësh shumë mirë ushqimin. Të njohësh shumë mirë produktet dhe teknikat e gatimit që të mos i humbasësh vlerat e tyre gjatë procesit të gatimit. Të lexosh shumë, të kesh shumë libra gatimi si dhe të jesh rritur në familje ku ke trashëguar aroma dhe ndjesi. Unë përpiqem ti bëj të gjitha këto dhe prapë e ndjej se kam shumë për të mësuar.

Cila është lidhja juaj me ushqimin? Një profesion, pasion apo diçka e trashëguar? A mund të na thoni diçka më tepër rreth kësaj?

Lidhja ime me ushqimin është ndjesi dhe gjendje emocionale. E them këtë sepse ndihem shumë më mirë kur gatuaj ose shijoj diçka të mirë. Jam rritur në familje ku kam trashëguar nga mami dhe gjyshja gatime që mbledhin rreth tryezës familjen. Është edhe një pasion gjithashtu, sepse kur e do diçka, jepesh me mish e shpirt që të nxjerrësh më të mirën nga vetja jote për t’ia dhënë tjetrit.

Si është një ditë e juaja e zakonshme? I referohem këtu edhe jetës suaj personale. Është e vështirë t’i përballosh të gjitha përgjegjësitë që ke?

Dita ime nis kryesisht në orën 06:00, gatuaj, gjithmonë ha një super mëngjes (nuk dal asnjë herë pa ngrënë dhe nëse dal pa ngrënë do më gjeni në ndonjë cep duke blerë byrek me dhallë ose briosh) fotografoj foton e ditës në ballkon dhe nisem urgjent për në punë se më duhet të kap fugonin. Punoj 08:00 deri në 17:00 në cepin tjetër të Tiranës dhe kryesisht ora 18:00 më mbledh në shtëpi ku fillon turni dytë si mama, bashkëshorte, vajzë, shoqe etj. Nuk do ia dilja dot kurrë pa ndihmën e familjes time, sidomos të mamit pasi ajo është shtylla që mbështetem për ndihmë.

Profili juaj në Instagram është vërtet shumë i kuruar. Kush fshihet pas atyre fotove joshëse?

Nëse do më pyesje mua për faqen time nuk do dëgjoje kaq fjalë të mira sepse unë nuk kënaqem asnjë herë me veten, kam pasion fotografinë, detajet dhe çdo gjë që plotëson imazhin e asaj që unë kam në mendjen time dhe që dua ta përcjell tek ata që më ndjekin. Fotografitë bëhen çdo mëngjes me celular, ndaj edhe ndriçimi nuk është asnjëherë njësoj. Madje nëse do ishte njësoj gjithmonë si një studio fotografie do më “bezdiste” pak sepse më pëlqen larmia dhe stili natyral, pak fshatçe dhe me shumë detaje.

Nga e merrni frymëzimin për recetat që gatuani dhe që vendosni t’i ndani me publikun?

Ohh, kjo është pyetja më e thjeshtë për mua. NEPSI është ai më nxit sensorët, shqisat dhe më “ndez llampën” të gatuaj diçka. Të jeni të sigurt se nëse do shoh diçka që më shkon goja lëng sapo të më jepet mundësia do e gatuaj.

https://www.instagram.com/p/B8lJVNvg7f3/

Cila është kuzhina juaj e preferuar?

Kuzhina mesdhetare, aromat dhe shijet e saj janë ato që unë do zgjidhja gjithmonë edhe pse provoj shije të tjera.

Shumë blogere mode shprehen se të ardhurat e tyre përmes reklamave në Instagram janë shumë të kënaqshme. A mund të thoni edhe ju të njëjtën gjë? A ju shpërblehet i gjithë mundi në fund nga ana financiare?

Unë nuk kam një marrëdhënie të mirë me lekët, por po të pyesësh tim shoq unë jam akoma me minus për çka kam “investuar” në faqe. Ndoshta në një të ardhme kur kompanitë e produkteve që kanë lidhje me gatimin të na paguajnë ne “foodblogeret” për ato që gatuajmë ndoshta do arrijmë të nxjerrim lekët e pjatave dhe pecetave që kurrë nuk na dalin.

Si e vlerësoni punën e kolegeve tuaja? (nëse mund t’i quajmë të tilla). Po sjellin diçka ndryshe në rrjetet sociale përmes recetave dhe fotove origjinale të tyre? Do të veçoje ndonjë emër?

Oh sa shumë gra dhe burra kam njohur në rrjete sociale ku secilën/in i dua për veçoritë e tyre dhe më vjen shumë mirë që gatuajnë aq gjëra të mira për familjet e tyre. Janë me fat ata që i kanë dhe i njohin, sepse “dashuria mbaron, por uria asnjëherë” dhe ndihesh i bekuar kur ke pranë dikë që sjell më të mirën në tryezë vetëm për ty. Dua të ndalem pak tek origjinaliteti, sepse mendoj që sot nuk shpik më njeri receta të mirëfillta veç nëse je një shef që ke studiuar dhe ende vazhdon që të krijosh recetat e tua unike. Asnjë nga ne nuk gatuan vetëm, por gjithmonë ka me vete shijet që ka kultivuar në vite, traditën, familjen,recetat e kembyera me mikeshat, komshiet, librat e kuzhinës, recetat e lexuara dhe të para diku, ndonjë shije të re etj. Unë mendoj se secili e sjell sipas mënyrës dhe shijes së tij çdo recetë.

A ke ndonjë idhull të huaj, kur vjen puna tek kuzhina? Ndonjë shef të njohur kuzhine apo blogere ushqimi?

Po kam. Unë ndjek me shumë kënaqësi dhe dua të jem si Nigella Lawson dhe Ina Garten sepse i përshtaten shumë asaj që unë besoj “gatimi i bashkon njerëzit” dhe ato gatuajnë gjithmonë për t’i konsumuar me të tjerët.

Nuk mund t’ju lë pa ju pyetur edhe për emrin e faqes suaj. Pse pikërisht “Papare,the beauty of small things”?

“Papare” sepse ka qenë dhe është ushqimi im i preferuar.
“Pa pare” sepse nuk ia kam parë hajrin pareve
“Pa pare” kështu më thonë ata që më njohin dhe sepse mendoj që ka bukuri tek gjërat e vogla.

Është e lehtë t’i menaxhosh 23 mijë ndjekës në Instagram? A merr kritika ndonjëherë dhe nëse po, si reagon ndaj tyre?

Jo nuk është aspak e lehtë, sepse duhet të jesh aty për çdo pyetje, informacion etj. Sigurisht që marr kritika dhe i përgjigjem me shumë kënaqësi, madje kur biseda është konstruktive dhe dialogu është i sinqertë pa dashakeqësi e falenderoj.

Gatimet që unë bëj për veten dhe familjen time janë shijet e mia dhe asgjë nuk është e prerë me thikë, të gjitha shijet janë të drejta për gjithësecilin ndaj komentet që nisin: “kjo nuk bëhet kështu, se unë i hedh kështu”nuk më duken kritika, por mënyra për të të imponuar shijen dhe mënyrën e tyre në faqen time.

A mund të veçoni për ne recetën tuaj të preferuar dhe arsyen përse?

Aroma e bukës së sapo pjekur është aroma më e mirë për mua. Ju nuk e keni idenë sa herë e kam nisur bukën rrugës, ndaj bukë me djathë, gjalpë/vaj ulliri dhe domate është ajo receta që më rregullon midenë ose papare!

https://www.instagram.com/p/B31MlUCAZ94/?utm_source=ig_web_copy_link

Nëse ende nuk e keni ndarë mendjen se çfarë do të gatuani sot drekë apo për darkë, hidhini një sy gatimeve të Mirelës, bashkë me imazhet dhe idetë e bukura që ajo shpalos çdo ditë me ne.

Receta e plotë e papares nga Mirela 

Përbërësit:
  •  2 feta bukë
  • 50 gram djathë
  • 1 lugë gjalpë
  • 1 filxhan kafe ujë

Udhëzime mbi përgatitjen: 

  • Në tigan kaurdisim bukën e thërmuar me pak gjalpë, shtojmë ujin dhe djathin e thërmuar.
  • Në temperaturë të ulët e përziejmë derisa të bëhet një masë e shkriftuar.
“Kam mësuar nga një familje Kuçovare që papares i shtojnë edhe pak mëndërz të njomë dhe e quajnë xam”.
Prandaj kësaj recete ju mund t’i shtoni pak nenexhik sipër, ose kremin e mëndërzës për një version pak më ndryshe të papares. Për përgatitjen e kremit ju duhet:
  • 1 hudhër e vogël
  • 3-4 degë mëndërz (nenexhik)
  • pak spec djegës
  • 2 lugë vaj ulliri
  • kripë, piper

Rezultati? Kjo mrekullia në foton më poshtë:

Të drejtat e autorit për foton kryesore: Armand Habazaj 
Realizoi intervistën: Adela Zeneli 

Lini një koment