5-15 min/ Kuzhinë/ Vegjetariane

Një guidë: Si të bësh turshi të shpejta me çdo përbërës që ke në kuzhinë

Nëse keni një gjyshe apo nënë që i qan turshitë, jeni me fat. Por nëse nuk bëni pjesë tek ky grup, nuk do të thotë domosdoshmërisht se duhet t’i drejtoheni raftit të supermarketit për të shuar nepsin për turshi të shijshme. Më poshtë, “neps.al” ju sjell një guidë praktike për të bërë turshi të shpejta me çdo perime/frut që ju ndodhet në shtëpi.

Turshitë, me shijen e tyre të athët, të kripur e gjithashtu pak të ëmbël, janë një ushqim jo vetëm super i shijshëm, por dhe një mënyrë e shkëlqyer për të zgjatur jetgjatësinë e perimeve dhe frutave të stinës. Por pjesa më e keqe e të përgatiturit të turshive është pikërisht koha e gjatë që duhet të presim që ato të fermentohen. Megjithatë, me këtë guidë të shpejtë do të njiheni me turshitë e frigoriferit, që na japin mundësinë e përgatitjes së turshive në një kohë shumë herë më të shkurtër dhe pa bërë shumë rrëmujë në kuzhinë. Nuk ju duhen pajisje të ndërlikuara, vetëm kavanozë të pastër me kapakë dhe përbërësit bazikë të turshive: perimet, uji, uthulla, kripa, sheqeri dhe erëzat sipas dëshirës.

Hapi 1

Përbërësit dhe gramaturat për ujin e turshive (një kavanoz mesatar):

½ gotë ujë

½ gotë uthull molle

1 lugë gjelle sheqer

2 lugë çaji kripë

Hapi 2

Përzgjidhni perimet/frutat që do të bëni turshi. Për këtë metodë të shpejtë, ideale janë perimet krokante si kastravecët, karotat, panxhari, lulelakra, lakra e bardhë, bishtat e brokolit, etj.

 

Hapi 3

Tani që e dini çfarë do të bëni turshi, mblidhni të gjithë përbërësit.

1 kavanoz mesatar i larë mirë

Perimet e përzgjedhura

1 thelpi hudhër

1 degë kopër/borzilok ose selino

Uji i turshive (sipas hapit 1)

½ lugë çaji piper kokërr

½ lugë çaji fara koriandër

½ lugë çaji fara mustarde

Në kavanoz vendosni hudhrën dhe koprën apo erëzën e freskët që keni zgjedhur. Perimet pritini në copëza të vogla dhe futini në kavanoz duke lënë një hapësirë prej jo më shumë se 2 cm nga kapaku.

 

Hapi 4

Ujin, uthullën dhe përbërësit e mbetur hidhini në një tenxhere. Nxeheni përbërjen në nxehtësi mesatare derisa të jenë tretur kripa dhe sheqeri dhe erëzat të kenë lëshuar aromat. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni në temepraturë ambienti për 5 minuta.

 

Hapi 5

Ujin me erëzat shtojeni në kavanozin ku keni vendosur perimet. Sasia duhet të jetë ekzaktësisht sa për të mbushur të gjithë kavanozin.

 

Hapi 6

Mbylleni kavanozin mirë me kapak dhe vendoseni në frigorifer për 1 deri në 3 ditë, Turshitë janë gati kur kanë një shije të athët dhe një konsistencë të butë e krokante njëkohësisht. Kini parasysh që sa më shumë t’i lini në frigorifer, aq me e fortë do të jetë shija. Mbajini në frigorifer dhe shijojini brenda 2 javëve.

You Might Also Like

No Comments

Leave a Reply