Nga menaxhimi i stresit deri tek kujdesi me kripën. 10 rregullat e arta për të pasur një zemër të shëndetshme!

10 rregullat e arta për të pasur një zemër të shëndetshme:

1.Thuaji Jo Duhanit
Lënia e Duhanit është një ndër gjërat e para dhe më të rëndësishme që duhet të bëjnë të gjithë duhanpirësit nëse duam të kemi një jetë të gjatë dhe mbi të gjitha cilësore. Studimet tregojnë se duhanpirësit janë dy herë më shumë të rrezikuar dhe të ekspozuar ndaj sëmundjeve kardiake krahasuar me jo duhanpirësit. Por, në momentin që ju lini duhanin, ky rrezik fillon të minimizohet.

2. Limitoni sasinë e kripës
Konsumi i lartë i kripës mund të shkaktojë tension të lartë të gjakut gjë që rrit edhe rrezikun për të zhvilluar sëmundje koronare të zemrës. Prandaj për një zemër të shëndetshme këshillohet të evitoni ushqime të tilla si: patatina, kikirikë të kripur, ushqime të gatshme dhe të paketuar, ushqimet e shpejta, pica. Por duhet treguar kujdes edhe me konsumin e një pjesë drithërash të gatshëm që konsumohen në mëngjes që promovohen si të shëndetshëm, por është vënë re re që përmbajnë një nivel të lartë kripe dhe si të tilla nuk duhen konsumuar.

3. Kujdes me dietën tuaj
Një dietë e shëndetshme mund të ndihmojë në minimizimin e rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës si dhe mund të ndihmojë edhe në rritjen e shanseve të mbijetesës në rast të një goditje në zemër. Prandaj është e rëndësishme që të konsumoni një dietë ushqimore të balancuar, në përbërje të të cilës nuk duhet të mungojnë asnjëherë frutat e freskëta të stinës dhe perimet, vaji i peshkut, bukë integrale, makarona dhe oriz. Evitoni konsumin e biskotave, kek, torta apo edhe produkte të qumështit që janë të pasura me yndyrna të ngopura dhe sheqer.

4. Monitoroni konsumin e Alkoolit
Konsumi i tepruar i pijeve alkolike mund të dëmtojë muskujt e zemrës dhe në të njëjtën kohë të ndikojë në shtimin tuaj në peshë, pra të masës dhjamore. Studimet tregojnë se alkoli i tepërt rrit edhe rrezikun për goditje në zemër prandaj rekomandohet që të mos konsumoni më shumë se 1-2 gota pije alkolike në ditë.

5. Jini Aktiv 
Zemra është një muskul dhe si e tillë ka nevojë për stërvitje që të jetë e aftë të mund të pompojë gjak në mënyrë efikase për të gjithë trupin.Këshillohet që të kryeni të paktën 30 minuta ushtrime me intensitet të moderuar në ditë. Nëse kjo ju duket e vështirë mund të filloni me ushtrime të lehta duke intensifikuar ato gradualisht me kalimin e kohës. Të qenit në formë sjell dobi jo vetëm për shëndetin tuaj fizik, por përmirëson edhe shëndetin mendor dhe mirëqënien.

6. Menaxhoni Peshën tuaj
Obeziteti apo të qenit mbipeshë është një ndër fenomenet që po njeh rritje në kohët e sotme duke u kthyer në shqetësim. Kjo për faktin që mbipesha ndikon negativisht në shëndetin tonë duke rritur edhe rrezikun për t’u prekur nga sëmundje me rrezikshmëri të lartë për jetën siç janë sëmundjet koronare të zemrës dhe diabeti. Pra nëse jeni mbipeshë apo obezë filloni të aplikoni ndryshime të shëndetshme në stilin tuaj të jetesës. Fillimisht filloni të ushqeheni shëndetshëm dhe njëkohësisht mundohuni të jeni sa më aktiv, ushtroni rregullisht aktivitet fizik.

7. Matni rregullisht presionin e gjakut dhe nivelin e kolesterolit mundësisht nën asistencën e mjekut specialist
Sa më i lartë presioni i gjakut aq më shumë do të ndikojë në jetëgjatësinë tuaj. Personat me presion të lartë të gjakut kanë një rrezik të shtuar për të pësuar goditje në tru ose atak në zemër. Nivelet e larta të kolesterolit në gjak, të prodhuara nga mëlçia nga yndyrnat e ngopura,  mund të çojnë në depozita yndyrore në arteriet koronare të cilat rrisin rrezikun për t’u prekur nga sëmundje koronare të zemrës apo goditje në tru. Ajo që mund të bëni për të ulur nivelin e kolesterolit në organizëm janë fillimisht kryerja e aktivitetit fizik dhe konsumi i ushqimeve të pasura me fibra si tërshërë, fasule, thjerrëza, arra, bajame, fruta dhe perime.

8. Mundohuni të mbani nën kontroll stresin
Kur jemi të stresuar jemi të prirur të reagojmë duke ngrënë jo shëndetshëm, të pimë më shumë duhan dhe alkool, zakone këto që rrisin rrezikun për goditje në zemër. Prandaj është shumë e rëndësishme që të menaxhoni stresin sa më shumë të jetë e mundur.

9. Informohuni nëse keni histori familjare me sëmundje zemre
Nëse një nga familjarët tuaj të ngushtë ka rrezik të lartë për t’u prekur nga sëmundjet koronare të zemrës si pasojë e duhanit, presionit të lartë të gjakut, nivelit të lartë të kolesterolit, mungesës së aktivitetit fizik, obezitetit dhe diabetit, atëherë edhe ju gjithashtu mund të jeni në rrezik për tu prekur.

10. Sigurohuni që të njihni simptomat e hershme të sëmundjes koronare të zemrës
Tregoni kujdes dhe konsultohuni me mjekun specialist kardiolog në rast se keni shtrëngim apo ndjenjë diskomforte të lokalizuar në gjoks, qafë, krah apo stomak, shenja këto që shfaqen kur sforcoheni dhe largohen kur jeni në qetësi. Këto janë shenjat e para të Anginës, që është ndër sëmundjet që prek zemrën dhe në rast se lihet e patrajtuar mund të çojë deri në atak në zemër.

Lini një koment