Sugjerojmë:

Në kërkim të: Pizza-ve më të mira në Tiranë!

Ka një arsye përse jemi të gjithë ndjekës të Neps.al: Na pëlqen ushqimi i mirë, apo jo?!
Por përveçse ta gatuajmë atë me recetat që stafi ynë sjell çdo ditë, përse të mos braktisim herë pas here tenxheret e tiganët dhe ta shijojmë diku tjetër një ushqim të shijshëm, të përgatitur nga profesionistët e vërtetë?

Ndaj Neps.al, çdo javë do të jetë në kërkim të ushqimeve më të mira në Tiranën tonë të dashur, në një guidë për të provuar çdo gjë të shijshme që kryeqyteti ka për të na ofruar!

Çdokush që thotë se paraja nuk e blen lumturinë qartazi nuk ka shijuar një picë të mirë! Pas shkrimit të kaluar ku Neps sugjeroi 6 vende në kryeqytet ku mund të shijonit akulloret më të mira, kësaj radhe nën lupën tonë janë picat, të preferuarat tuaja.

Në grepin tonë ranë 6 piceri, njëra më e ndryshme se tjera, me menu të larmishme dhe më pica nga më ekstravagantet.

Le të fillojmë:

  1. La Loggetta

“La Loggetta” ofron me të vërtet pica autentike napoletane dhe ata që janë ulur një herë të vetme në këtë piceri e dinë se për çfarë po flas. Lënda e parë që përdoret në përgatitjen e picës dhe teknologjia italiane bëjnë që picat të kenë një trashësi ndryshe nga picat e zakonshme. Temperatura e lartë në furrën e veçantë të picës e bën pjekjen dhe fryrjen e përsosur.

Pizza “Doppia” është sugjerimi ynë. Kjo është një picë me dy shtresa. Shtresa e sipërme napoletana dhe shtresa e poshtme me djathë provola.

2. Proper Pizza

Picat tek “Proper” plotësojnë të gjitha nevojat tuaja. Duke filluar nga picat e vogla deri tek ato më të mëdhatë, shijet janë modeste deri tek ato më ekstravagantet. Neps sugjeron picën e famshme “Proper Pizza” me salcë marinara, fara susami,djathë proper, suxhuk, proshutë dhe kërpudha.

3. Apulia

Në çdo kafshatë do ndiheni sikur jeni në Puglia! Nëse nuk e besoni atëherë provoni një picë dhe do të bindeni për këtë. Nëse jeni konfuzë Neps ju vjen në ndihmë. Shijo një picë “Alla norma”. Brenda ka salcë domatesh, patëllxhanë, rikota të freskët dhe krem qumështi.

4. Saporita

Tek “Saporita” je me fat nëse gjen një tavolinë. Arsyeja? Picat e shijshme bëjnë që radha e njerëzve që presin tek dera, të jetë më i lartë sesa numri i votuesve më 30 qershor. Në menu mund të gjesh pica të bardha, por edhe të kuqe. Neps sugjeron picën me krudo dhe rukola. Dyshe e përsosur!

5. PizzArte

Këtu me picën bëhet një art! Kombinimet më të thjeshta janë shpesh dhe më të shijshmet si kërpudhat e freskëta me proshutën e pjekur. Mos e lini pa provuar këtë shije sa herë shkoni tek “PizzArte”.

Picat janë tipike napolitane. Nëse porosisni picën mbushur anash me rikota, mos e vrisni mendjen se çfarë ka sipër se gjithsesi do ketë një super shije!

6. Piceri Gloria

Nëse shkon tek piceri Gloria duhet të bësh zgjedhjen e duhur.
Zgjidh picën me proshutë, philadelphia, tartuf dhe arra./neps.al 

Lini një koment