Sugjerojmë:

Në kërkim të: Pastave më të mira në Tiranë! 

Ka një arsye përse jemi të gjithë ndjekës të Neps.al: Na pëlqen ushqimi i mirë, apo jo?!
Por përveçse ta gatuajmë atë me recetat që stafi ynë sjell çdo ditë, përse të mos braktisim herë pas here tenxheret e tiganët dhe ta shijojmë diku tjetër një ushqim të shijshëm, të përgatitur nga profesionistët e vërtetë?

Ndaj Neps.al, çdo javë do të jetë në kërkim të ushqimeve më të mira në Tiranën tonë të dashur, në një guidë për të provuar çdo gjë të shijshme që kryeqyteti ka për të na ofruar!

Sot jemi në kërkim të…. Pastave më të mira në Tiranë! 

Pastat (pra makaronat) janë një ndër ushqimet më të konsumuara në të gjithë botën.  Interesantja është se çdo vend ka një version të tijin përsa i përket mënyrës së gatimit dhe servirjes së pastave.

Në fakt teksa të gjithë mendojnë se origjina e këtyre të fundit është Italia, lërmëni t’ju them se e vërteta nuk është ekzaktësisht kështu.

Prapa pastave fshihet një histori e lashtë dhe kjo e bën të pamundur që të zbulohet se kush e shpiku pjatën e parë.

Pasta në italisht i referohet një kombinimi midis vezëve, miellit dhe ujit, të gjithë përbërësit e thjeshtë që kanë qenë përreth me shekuj. Kjo e bën të vështirë dallimin e makaronave nga pjatat e tjera antike të bëra nga të njëjtët përbërës.

Teksa ne mendojmë për makaronat si një ushqim me kulturë italiane, ka të ngjarë që pasardhësi  i lashtë të jetë Azia. Një besim i zakonshëm për makaronat është se ato u sollën në Itali nga Kina, nga Marco Polo gjatë shekullit të 13-të. Në librin e tij, “Udhëtimet e Marco Polo”, ka një fragment që përmend shkurtimisht prezantimin e tij rreth një bime që prodhonte miell. Kinezët e përdorën këtë bimë për të krijuar një vakt të ngjashëm me miellin e elbit. Vakti i ngjashëm me elbin, që Polo përmendi, u përdor për të bërë disa pjata me makarona, përfshirë këtu edhe lazanjat e famshme.

Meqenëse teksti origjinal i Polos nuk ekziston më, libri mbështetet në shumë tregime nga autorë dhe ekspertë të ndryshëm.

Përtej historisë, tanimë prej vitesh pastat kanë fituar popullaritet edhe në vendin tonë. Në pjesën më të madhe të rasteve ato nuk shikohen më si pjata që i përgatisim kur nuk kemi kohë apo kur frigoriferi është bosh, por trajtohen si receta të vërteta pas të cilave fshihet një punë e mundimshme.

Një pjesë e mirë restorantesh në vendin tonë i janë dedikuar vetëm pastave dhe kjo i ka bërë që shumë shpejt të identifikohen në tregun shqiptar.

Pra nëse ty të shkoi mendja për të shijuar një pjatë të mirë makaronash, Neps të sugjeron 5 vende ku mund të shkosh në Tiranë:

Pasta Da Pucci

Nga vetë emri në këtë restorant do të gjeni me shumicë vetëm “Pasta”. Disa shkallë të vogla të çojnë drejt një ambienti që edhe pse nëntokë, është shumë i ngrohtë. Ti mund të zgjedhësh pjatën tënde të preferuar nga një menu jo e zakonshme. Kjo pasi djali apo vajza që do ju shërbejë do të vijë përballë teje me një dërrasë të zezë. Aty janë shkruar emrat dhe çmimet përkatëse të çdo pjate që janë nga më të thjeshtat deri tek ato më ekstravagantet.

Romagna Mia 

Çdo gjë tek “Romagna Mia”, bëhet në mënyrë artizanale. Kjo nënkupton që brumi zihet me dorë dhe petët hapen me petëz. Makaronat po ashtu përgatiten me dorë në plan druri dhe jo me makineri. Vezët që përdoren janë 100% vezë fshati. Këto janë pikat e forta që e diferencojnë këtë restorant nga të tjerët. Nga ana tjetër sigurisht edhe çmimet që janë në përputhje të plotë me cilësinë që ofrojnë. Këtu mund të vijë çdokush, i madh dhe i vogël, ditën e parë të rrogës apo nga fundi i muajit.

Por nëse për arsye nga më të ndryshmet, ti kërkon t’i provosh tagliatelet apo shumë të preferuarat ravioli me spinaq që shijojnë si nga dora e nënave italiane në komoditetin e shtëpisë apo zyrës, SnapFood të vjen në ndihmë. Nëse ende nuk e ke shkarkuar aplikacionin bëje këtu. 

Të duhet një recetë e mirë që ta përgatisësh në kushtet e shtëpisë? Je në artikullin e duhur! Përgjigjen e gjen duke klikuar këtu

pa Pirunj  

Me pastat që do të provoni tek “pa Pirunj”, do të lëpini gishtat! Tek ky restorant që ndodhet tek kryqëzimi i “Komunës së Parisit”, do të shijoni pasta të freskëta të përgatitura në çast me lloj-lloj përbërësish, që me siguri as në ëndrra nuk i keni parë. Finesa në servirje është gjithashtu një pikë e fortë e këtij restoranti. E kush ushqimi serviret bukur, më thuaj, a mund t’i rezistosh?

Neps padyshim do të sugjeronte pastat”Karamele Zana”.

Mendon se bëhet fjalë për një recetë të ëmbël? Gabon. Shuaje dyshimin duke porositur këtë pjatë menjëherë sapo të shkosh atje.

Pastaria Tirana 

“Pastaria” është padyshim shtëpia e pastave. Nëse dita jote nuk ka shkuar edhe aq mirë, atëherë zgjidhjen e ke në dorë. Vizito Pastaria, shijo pjatat e saj dhe lumturia do të zgjasë gjatë.

Alternativat janë të shumta. Madje edhe ju që nuk keni mundësi të vizitoni detin nga afër, mund ta shijoni tërësisht përmes pastave fantastike me fruta deti (që janë edhe më të mira nga sa duken në foto).

Casa della Pasta Fresca 

Penne arrabbiata, ravioli me rikota dhe spinaq, tagliatelle me fruta deti, por edhe shuuumë receta të tjera të shijshme nga bota e pafundme e pastave i gjeni vetëm tek “Casa della Pasta Fresca”. Pjatat e këtij restoranti mund t’i porosni edhe në komoditetin e shtëpisë,  kollaj fare nga smartphoni juaj.

Mjafton të kesh shkarkuar aplikacionin e njohur SnapFood, zgjidh restorant “Casa della Pasta Fresca”  dhe pasi je njohur me menunë, bëj zgjedhjen tënde thjesht me një klik! 

Lini një koment