Sugjerojmë:

Dredhanik me arra dhe sherbet. Receta nga Zonja Vjollca

Dredhanik me arra dhe sherbet

Persona: 5
Koha e përgatitjes: 30 minuta Koha e gatimit: 1 orë

Ju ka marrë malli për një dredhanik me mollë dhe arra? Neps. al ju tregon sot si ta përgatisni atë nga duart tuaja. Receta është realizuar fillimisht nga Zonja Vjollca e cila ka hapsirën e saj të gatimit në "Rreze Dielli" që transmetohet në "Report Tv".

Ingredientët

  • 1 pako peta
  • 300 gr gjalp
  • 300 gr arra
  • Pak kanellë
  • 200 gr hallvasi (sipas dëshirës )
  • Për shërbetin: 1 kg sheqer
  • 750 ml ujë
  • 3 feta limon
  • 2-3 karafil

Udhëzimet

1

Fillimisht sheqerin e vendosim në ujë të ftohtë me 2 feta limon, 1 shkop kanelle dhe 3-4 copë karafil. E vendosim tenxheren në zjarr dhe e lemë sa të marrë valë, e lemë 5 minuta dhe më pas e largojmë të ftohet.

2

Ndërkohë vendosim gjalpin në një tenxhere të vogël të shkrijë. Vendosim arrat dhe pak kanellë në një mikser dhe i grijmë arrat në copëza të vogla.

3

Marrim një petë, e lyejmë mirë me gjalpin e shkrirë dhe mbi të vendosim një petë të dytë duke e puthitur mirë me petën e parë. Lyejmë përsëri petën e dytë me gjalpë dhe më pas përhapim arra në të gjithë sipërfaqen e petës.

4

Në mes të petës vendosim një okllai (në mungesë dy shkopinj shishqebapi të bashkuar horizontalisht) dhe palosim petën në dysh duke mos e larguar okllainë. E rrokullisim petën duke formuar një role të cilën e rrudhosim pak duke lëvizur duart nga anët e rolesë në qendër.

5

E vendosim dredhanikun në një tepsi të lyer me gjalpë dhe kështu vazhdojmë deri në përfundimin e të gjithë petëve. Pasi të jetë mbushur tepsia presim dredhanikun duke e ndarë në pjesë dhe e vendosim në furrë të piqet.

6

Pasi sherbeti të jetë ftohur pak, sherbetosim dredhanikun me arra sapo ta nxjerrim nga furra. E lemë të ftohet mirë dhe më pas e shërbejmë.

Lini një koment