Askush nuk e imagjinonte që një kompani gomash do të krijonte pa dashje hierarkinë më të frikshme të botës së gastronomisë. Po, po, Michelin, ajo e gomave që i shohim në çdo servis, është po ajo që sot i jep yjet që shefat e kuzhinës i ëndërrojnë me net të tëra pa gjumë.
Historia nis në vitin 1900, kur në gjithë Francën kishte më pak se 3000 makina dhe rrugët ishin… le të themi, aventura më vete. Vëllezërit André dhe Édouard Michelin kishin një hall shumë të thjeshtë: si t’i bindnin njerëzit të udhëtonin më shumë, që të konsumonin më shpejt gomat e tyre. Zgjidhja? Të krijonin një udhëzues falas për shoferët. Një libër të kuq të vogël, me harta, lista servisesh, pompa benzine, mekanikë dhe ca sugjerime restorantesh që atë kohë nuk i merrte njeri seriozisht.
Ky libër i thjeshtë u shpërnda falas, sepse ideja nuk ishte të shitej udhëzuesi, por të shtoheshin kilometrat e makinave. Sa më shumë kilometra, aq më shumë goma të reja. Thjesht, por gjeniale.
Vitet kaluan, dhe vëllezërit Michelin vendosën të bënin diçka krejt të çuditshme: t’u jepnin yje restoranteve me ushqim të jashtëzakonshëm. Në 1926 nisi vlerësimi me një yll, ndërsa në 1931 sistemi u zgjerua në tre yje. Në fillim shefat qeshën me idenë që një kompani gomash po gjykonte pjatat e tyre. Pastaj u panikosën. Sepse një yll Michelin mund të të kthente restorantin në destinacion kombëtar, ose ta zhdukte nga harta brenda natës.
Nga një libër rrugësh, Udhëzuesi Michelin u kthye në Biblën e gastronomisë. Shefat filluan të stërviten, të fiksohen, të konkurrojnë për ato yje të vogla që ndryshonin fatin e karrierës së tyre. Disa e quajtën bekim, të tjerë mallkim. Por një gjë është e sigurt: Michelin bëri të pamundurën. E transformoi ushqimin në një sport global.
Për ironi, gjithçka nisi vetëm për të shitur më shumë goma.
Sot, një yll Michelin është nderi më i madh që një restorant mund të marrë. Dhe pas më shumë se një shekulli, kompania e gomave vazhdon të vendosë standardet e kuzhinës botërore me po atë fuqi të heshtur dhe të frikshme.
Lini një koment