Musaka. Receta tipike sipas kuzhinës greke

Musaka. Receta tipike sipas kuzhinës greke

Persona: 4
Koha e përgatitjes: 30 minuta Koha e gatimit: 70 minuta

Musakaja është një specialitet grek shumë i shijshëm dhe një prej pjatave më të njohura me bazë mishi dhe me patëllxhanë, djathë, qepë, shumë erëza që i japin aromë dhe verë të bardhë. Është një pjatë që mund ta përgatisim lehtë edhe në shtëpi duke i dhënë diçka nga vetja.

Ingredientët

  • 3 patëllxhanë të gjatë
  • Gjysmë kilogram mish i grirë
  • 1 qepë e madhe
  • Gjysmë gote vaj ulliri
  • Gjysmë gote verë e bardhë e thatë
  • Kripë
  • Erëza(rigon, majdanoz, hudhër e grirë, piper i kuq, kanellë, dafinë, arrë moskat)
  • ½ litri qumësht
  • 2 lugë gjelle niseshte misri
  • 2-3 lugë gjelle parmixhan i grirë
  • 1 tepsi ose tigan që futet në furrë me të cilin do të bëni dhe servirjen

Udhëzimet

1

Ndizni furrën në 200 gradë Celsius.

2

Lani patëllxhanët, pritini në feta për së gjati me trashësi gjysmë cm dhe vendosini në një tepsi të madhe në disa shtresa. Vendosini në furrë për 20 minuta derisa të zbuten.

3

Qëroni qepën, priteni në feta dhe vendoseni në një tigan ku keni ngrohur pak vaj. Skuqeni në zjarr të ulët, në mënyrë që të zbutet, por jo të digjet. Hidhini pak kripë.

4

Shtoni mishin e grirë dhe trazojeni herë pas here, derisa të gatuhet mirë.

5

Kur mishi të jetë thuajse i gatuar, shtoni verën e bardhë dhe lëreni të avullojë. Më pas hidhini pak kripë.

6

Kompletojeni me erëza. Nëse nuk i keni të gjitha, mund të përdorni edhe një miks erëzash që keni në shtëpi.

7

Përgatisni beshamelin: Ngrohni qumështin dhe shtoni niseshtenë duke e përzier mirë me rrahëse vezësh derisa të trashet. Në fund, hidhini pak kripë dhe arrë moskat.

8

Përbërësit janë të gjitha gati, mbetet vetëm të shtrojmë musakanë në tepsi.

9

Shtroni një shtresë beshameli në tepsi, më pas një shtresë patëllxhanësh dhe sipër tyre hidhni gjysmën e mishit të grirë të skuqur me qepën. Vazhdoni me një shtresë tjetër patëllxhanësh e mishi, më pas vendosni përsëri patëllxhanë dhe në fund mbulojini me beshamel dhe pak parmixhan të grirë.

10

Piqeni në furrë për gati 40 minuta ose derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të artë.

11

Servireni të ngrohtë, por jo duke vluar./neps.al

Lini një koment