Receta e qofteve prej lakre mbushur me mish të grirë erdhi!

Receta e qofteve prej lakre mbushur me mish të grirë erdhi!

Persona: 4
Koha e përgatitjes: 15 minuta Koha e gatimit: 30 minuta

Shfrytëzojeni lakrën që nuk kushton shumë, për disa qofte të shijshme me lëng. Recetën jua tregon hap pas hapi Neps.al

Ingredientët

  • 500 gram lakër të bardhë
  • 300 gram mish të grirë
  • 2-3 lugë gjelle oriz
  • 1 kokërr qepë
  • 1 karotë
  • 2 të bardha veze
  • Kripë, piper
  • koper
  • Majdanoz, nenexhik
  • 1.5 litër lëng mishi/perimesh
  • 3-4 lugë gjelle vaj ulliri
  • 2 të verdha veze
  • 1 lugë gjelle niseshte
  • 1 kokërr limon

Udhëzimet

1

Grijmë hollë në rende lakrën e bardhë, e përvëlojmë më pas me ujë të vluar ose e vendosim në një kullesë lartë një tenxhereje me ujë të vluar.

2

Lakrën e lemë për 2-3 minuta që të zbutet dhe më pas e lemë të ftohet.

3

Ndërkohë grijmë qepën dhe karotën në rende. I vendosim në një tas ku shtojmë mishin e grirë, orizin, lakrën e zbutur, të bardhat e vezëve, kripë, piper, koper, nenexhik, majdanoz dhe 2 lugë vaj ulliri.

4

E përziejmë mirë brumin e qofteve dhe nëse kemi mundësi e lemë për 2-3 orë të pushojë në frigorifer.

5

Pasi brumi i qofteve të ketë pushuar në frigorifer realizojmë qofte të rrumbullakëta sa një kokërr arrë.

6

Vendosim në zjarr një tenxhere me 1.5 litër lëng mishi ose perimesh ku shtojmë 2 lugë vaj ulliri dhe pasi buljoni të ketë marrë valë hedhim qoftet e përgatitura një e nga një. I lemë qoftet të ziejnë për rreth 20 minuta.

7

Rrahim më pas të verdhat e vezëve së bashku me lëngun e limonit. Përziejmë niseshten me pak ujë derisa të tretet dhe e shtojmë tek të verdhat e vezëve. Rregullojmë temperaturën e vezëve që të mos na priten me pak lëng buljoni dhe e shtojmë më pas në tenxheren ku po ziejnë qoftet.

8

E lemë për rreth 5 minuta gatimin të përfundojë dhe më pas fikim sobën.

9

E lemë tenxheren të qendrojë mbi sobë për rreth 10 minuta të ajkoset salca dhe më pas e servirim menjëherë të ngrohtë spërkatur me pak piper të zi dhe majdanoz të freskët.

Shënime

Receta marrë nga: balkanweb.com

Lini një koment