Sugjerojmë:

Rosto e gatuar me ananas

Koha e përgatitjes: 10 min Koha e gatimit: 120 min

Ingredientët

  • 900g mish derri për rosto
  • 2 kuti ananas në konservë, nga 500 gr secila
  • 4 gjethe sherebel
  • 4 lugë gjelle vaj ulliri
  • Gjalpë, një lugë gjellë
  • Kripë
  • Pipër i zi i bluar
  • 1 lugë kafeje me niseshte misri

Udhëzimet

1

Marrim 8 feta ananasi, i'u kullojmë lëngun, i fshijmë me letër kuzhine dhe i lëmë mënjanë.

2

Mishin nuk e presim në feta, por për së gjeri, si fletë libri, duke llogaritur që te secila prerje të futim një rrotëz ananasi, (8 prerje afërsisht).

3

E kriposim dhe e lyejmë me pak piper midis fetave të prera dhe vendosim një fetë ananas te secila prerje.

4

E lidhim mishin me spango kuzhine në formë kryqi disa herë dhe e lyejmë me pak kripë e piper nga jashtë.

5

Në një tenxhere të madhe hedhim vajin e ullirit, vendosim mishin dhe gjethet e sherbelës.

6

E skuqim për 7-10 minuta me flakë të lartë duke e rrotulluar nga të gjitha anët që të krijojë kore dhe të ketë marrë ngjyrë të artë.

7

Për rrotullimin e tij, nuk përdorim pirun, por lugë druri ose spatul, që të mos e shpojmë sepse kështu do të humbte lëngjet e tij dhe si rezultat do të kishim një rosto të thatë nga brenda.

8

Ulim flakën, hedhim lëngun e ananasit të një konserve, vendosim sipër kapakun dhe e lëmë në zjarr shumë të ulët për 90 minuta.

9

Pas kësaj kohe heqim kapakun, shtojmë gjalpin dhe e lëmë në zjarr edhe për 30 minuta të tjera afërsisht, por do të llogaritim që në tenxhere të mbetet pak lëng.

10

Nëse ka mbetur pak mund të shtojmë nga lëngu i ananasit të kutisë tjetër.

11

Gjatë gjithë kohës së zierjes, mishin e rrotullojmë çdo 30 minuta për t’i dhënë mundësi që të ziejë njësoj nga të gjitha anët.

12

Kur mishi të ketë zierë, e heqim nga tenxherja e mbështjellim me letër varaku dhe e lëmë të pushojë.

13

Në tenxheren ku kishim zierë mishin, hedhim 6-8 rrotëza ananasi.

14

I lëmë në zjarr të ulët për 3-4 minuta, i kthejmë që të lagen njësoj me lëngun dhe më pas i heqim së bashku me gjethet e sherbelës.

15

Marrim një lugë kafeje me niseshte, e tretim me pak ujë të ftohtë në një gotë dhe e hedhim te lëngu që na ka mbetur në tenxhere duke e përzierë vazhdimisht.

16

Kur të shohim që lëngu është trashur, e heqim nga zjarri. Roston e presim kur të jetë e vakët dhe e shërbejmë së bashku me fetat e ananasit dhe salcën e krijuar.

Lini një koment