Reçel fiku me kokrra të plota

1 kg fiq
1 kg sheqer
4 filxhan çaji me ujë
1 degë barbarozë për aromë ose 2 vanilje
Bajame - aq sa kokrra fiku kemi
Lëngu i një gjysmë limoni

1.Fiqtë i lani me ujë të rrjedhshëm, e më pas u prisni bishtat me majën e thikës duke hapur një gropëz të vogël.

2.Në këtë mënyrë, fruti i fikut do të përthithë sherbetin dhe në fund të procesit do të vendosni nga një bajame të bardhë aty.

3.Fiqtë e pastruar, i hidhni në një tenxhere me ujë të bollshëm dhe i zieni për 15 minuta. Më pas i kulloni nga uji dhe i vendosni në një enë me ujë të ftohtë.

4.I lini në tenxhere për 24 orë duke u ndërruar ujin për rreth tre herë me qëllim largimin e hidhërimit.

5.Pas këtij procesi, tenxheren me fiqtë e vendosni sërish në zjarr.

6.I lini të ziejnë derisa të marrin ngjyrën e tyre të errët nëse do të përdorni fiq të zinj, apo të gjelbër në rast se do përdorni fiq të gjelbër. Sapo të marrin ngjyrë, i hiqni nga zjarri.

7.Më pas, me kujdes nxirrni fiqtë dhe i shtrydhim ngadalë. Kështu u nxirrni ujin e tepërt e më pas u vendosni në brendësi nga një bajame të vogël.

8.Në mënyrë që të kullojnë gjithë ujin, i vendosni në një letër kuzhine.

9.Në vjim, përgatisni shërbetin duke vendosur në zjarr tenxheren me ujin dhe sheqerin, i trazoni derisa të shkrijë sheqeri.

10.E lini sherbetin të zjejë për 10 minuta. Shtoni barbarozën dhe fiqtë. I lini të ziejnë për 15 minuta.

11.Hiqni tenxheren nga zjarri dhe vendosni një pecetë të pastër sipër saj duke e lënë ashtu për 24 orë, derisa fiqtë të thithin lëngun e sherbetit.

12.Më pas, e vendosni sërish tenxheren në zjarr në mënyrë që shërbeti të trashet.

13.Hidhni lëngun e limonit dhe kontrolloni fiqtë. Në rast se kanë zjerë shumë, i nxirrni me lugë dhe lini të zjejë sherbeti derisa të lidhet.

14.Pasi trashet sherbeti reçeli është gati. Në rast se fiqtë i keni nxjerrë më parë i bashkoni me sherbetin e lidhur.

15.E vendosni reçelin në vazot e sterilizuara. I mbyllni me kapak dhe i ktheni përmbys duke i lënë kështu për 24 orë. Pas kësaj vazot me reçelin kokërr i vendosni në frigorifer.

Lini një koment