Ke qumësht gjiri, por mendon ta zëvendësosh me formulë? Një nga gabimet më të panevojshme! (PJESA 5)

Në pjesët e para të kësaj serie folëm për diçka që shumë njerëz nuk e mendojnë kur flitet për shtatzëninë: mënyra si ushqehet nëna krijon mjedisin biologjik ku zhvillohet bebi.

Në pjesën e parë pamë se dieta gjatë shtatzënisë nuk ndikon vetëm energjinë e nënës. Ajo mund të ndikojë edhe mënyrën si funksionojnë gjenet e bebit përmes epigjenetikës. (Lexo këtu)

Në pjesën e dytë folëm për një lëndë që shumë grave shtatzëna u mungon në dietë dhe që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e trurit të bebit. (Lexo këtu)

Në pjesën e tretë u ndalëm tek sheqeri dhe si nivelet e larta të glukozës gjatë shtatzënisë mund të ndikojnë metabolizmin e fëmijës dhe rrezikun për sëmundje më vonë në jetë. (Lexo këtu)

Në pjesën e katërt pamë rolin e proteinës, materialit bazë ndërtues të trupit, dhe pse në tremujorin e tretë ajo bëhet veçanërisht e rëndësishme për rritjen e bebit. (Lexo këtu)

Por historia nuk përfundon në momentin që bebi lind.

Muajt e parë të jetës janë një vazhdim i të njëjtit proces biologjik. Trupi i bebit vazhdon të zhvillohet me ritëm shumë të shpejtë dhe mënyra si ushqehet në këtë periudhë vazhdon të ndikojë metabolizmin dhe zhvillimin e tij.

Këtu lind një pyetje që shumë prindër ia bëjnë vetes: nëse ke qumësht gjiri, a duhet ta vazhdosh gjidhënien apo është njësoj edhe formula?

Së pari duhet thënë diçka shumë e rëndësishme.

Formula nuk është një gabim. Për shumë familje ajo është një zgjedhje e nevojshme dhe shpesh e vetmja e mundshme. Bebet duhet të ushqehen dhe formulat moderne janë krijuar për të siguruar shumicën e lëndëve ushqyese që një bebe ka nevojë për rritje dhe zhvillim.

Por kur ekziston mundësia për gjidhënie, shumica e ekspertëve janë të qartë për një gjë: qumështi i gjirit mbetet zgjedhja e parë.

Arsyeja është se qumështi i gjirit nuk është vetëm ushqim.

Ai është një sistem biologjik kompleks që ndryshon nga dita në ditë, nga muaji në muaj dhe përshtatet me nevojat e bebit. Përmban hormone, enzima, antitrupa dhe molekula sinjalizuese që ndihmojnë trupin e fëmijës të zhvillohet.

Shkencëtarët shpesh e përshkruajnë atë si një ushqim “të gjallë”.

Një nga molekulat që përmendet shpesh është leptina, një hormon që lidhet me mënyrën si trupi rregullon urinë dhe energjinë.

Disa studime sugjerojnë se ekspozimi ndaj leptinës në muajt e parë të jetës mund të ndihmojë trupin e bebit të mësojë më mirë sinjalet e ngopjes. Kjo është një nga arsyet pse në disa kërkime gjidhënia lidhet me një rrezik më të ulët për obezitet më vonë në jetë.

Përveç kësaj, qumështi i gjirit përmban edhe shumë elementë që ndihmojnë zhvillimin e sistemit imunitar. Ai bart antitrupa dhe përbërës që ndihmojnë trupin e bebit të mësojë si të reagojë ndaj baktereve dhe viruseve të botës së jashtme.

Një tjetër aspekt është zhvillimi i trurit.

Disa përbërës të qumështit të gjirit, si kolina dhe acidet yndyrore omega-3, lidhen me zhvillimin e sistemit nervor dhe të trurit. Edhe formulat moderne përpiqen të përfshijnë këto elemente, por përbërja e qumështit të gjirit është shumë më dinamike dhe përshtatet natyrshëm me fazën e zhvillimit të bebit.

Kjo është arsyeja pse shumë pediatër dhe organizata shëndetësore rekomandojnë që, nëse është e mundur, gjidhënia të vazhdohet për muajt e parë të jetës.

Sepse ajo është vazhdim i lidhjes biologjike mes trupit të nënës dhe trupit të bebit, një mënyrë për të furnizuar jo vetëm energji, por edhe sinjale që ndihmojnë organizmin e vogël të mësojë si të funksionojë.

Pa dyshim, prindërit bëjnë zgjedhjet më të mira që mund të bëjnë në rrethanat e tyre. Formula ekziston pikërisht sepse jo çdo nënë mund ose duhet të ushqejë me gji.

Por kur qumështi i gjirit është i pranishëm, biologjia sugjeron diçka të thjeshtë: trupi i nënës ka krijuar pikërisht ushqimin që bebi i saj ka nevojë në atë moment.

Lini një koment