Për herë të parë në historinë moderne, planeti ynë përballet me një fakt tronditës: fëmijët mbipeshë kanë kaluar në numër fëmijët nën peshë. Nuk është më uria ajo që dominon statistikat globale të kequshqyerjes, por mbingopja, një krizë që vjen jo nga mungesa, por nga teprica. Një emergjencë globale shëndetësore, e ushqyer nga interesat e kompanive, e marketingut agresiv dhe e përbuzjes së hapur ndaj ushqimit tradicional dhe të shëndetshëm.
Sipas raportit më të fundit të UNICEF-it të titulluar Feeding Profit (2025), mbi 188 milionë fëmijë të moshës 5 deri në 19 vjeç janë aktualisht obezë. Kjo shifër është trefishuar që nga viti 2000. Në total, numri i fëmijëve mbipeshë në botë ka arritur 391 milionë, duke kaluar për herë të parë numrin e fëmijëve nën peshë. Sipas të dhënave të OKB-së dhe OBSH-së, përqindja globale e obezitetit te fëmijët (9.4%) ka tejkaluar përqindjen e atyre që vuajnë nga nën-pesha (9.2%).
Problemi nuk qëndron vetëm te kilogramët shtesë, por te pasojat që mbipesha sjell gjatë gjithë jetës.
Fëmijët që vuajnë nga obeziteti janë shumë më të rrezikuar të zhvillojnë diabet të tipit 2 në moshë të re, të përballen me sëmundje kardiovaskulare që në adoleshencë, të jenë më të ekspozuar ndaj disa llojeve të kancerit, si dhe të vuajnë nga probleme të thella të shëndetit mendor si depresioni, izolimi social dhe vetëvlerësimi i ulët.
Por si mbërritëm këtu?
Kjo krizë nuk ka ardhur natyrshëm. Ajo është ndërtuar me qëllim, me strategji dhe me investime të mëdha nga industria ushqimore globale. Fëmijët sot janë të ekspozuar ndaj një mjedisi toksik, ku ushqimet ultra-të përpunuara dhe me vlera të ulëta ushqyese kanë zëvendësuar kuzhinën tradicionale. Rreth 75% e fëmijëve në botë shohin reklama për ushqime të pashëndetshme çdo javë, edhe në zonat e luftës. Këto reklama nuk janë të pafajshme: ato janë të dizajnuara për të manipuluar trurin ende në zhvillim të fëmijëve dhe për të krijuar varësi ndaj sheqerit, yndyrnave të dëmshme dhe kripës.
Ndërkohë, kompanitë e mëdha vazhdojnë të ndikojnë në politikat publike, duke penguar ligje që mund të ndalonin reklamimin e ushqimeve të dëmshme për fëmijët apo shitjen e tyre në shkolla. Dëmi nuk është vetëm shëndetësor, por edhe ekonomik; sipas parashikimeve, deri në vitin 2035 kjo krizë do t’i kushtojë ekonomisë globale rreth 4 trilionë dollarë në vit.
E vërteta e hidhur është kjo: nuk jemi duke ushqyer fëmijët, por po ushqejmë fitimet e korporatave në kurriz të shëndetit të brezave të ardhshëm. Nuk kemi më luksin të qëndrojmë indiferentë. Duhet të marrim masa urgjente: të ndalojmë marketingun e ushqimeve të pashëndetshme për fëmijët, të ndalojmë qasjen e këtyre produkteve në shkolla dhe të ndërpresim ndërhyrjen e industrisë ushqimore në vendimmarrje publike.
Shëndeti i fëmijëve tanë nuk është për t’u negociuar. Ai është themeli i së ardhmes sonë si shoqëri… dhe është në rrezik.
Lini një koment