Matcha është bërë një nga pijet më të dashura të viteve të fundit. E pasur me antioksidantë dhe me një ngjyrë mahnitëse jeshile, matcha shihet si një zgjedhje “e shëndetshme” dhe me energji të pastër. Por… a e dinit se në disa raste, ajo mund të ndikojë në përthithjen e hekurit në trupin tuaj?
Çfarë është matcha dhe si lidhet me hekurin?
Matcha përgatitet nga gjethe çaji jeshil të bluara shumë imët. Është i pasur me antioksidantë, sidomos me disa të quajtur katekinë, që janë të njohur për vetitë e tyre anti-inflamatore.
Por këto katekina, kur konsumohen shpesh, mund të lidhen me hekurin në ushqim gjatë tretjes, dhe ta pengojnë atë të përthithet siç duhet nga trupi.
Çfarë ndodh nëse trupi nuk merr mjaftueshëm hekur?
Kur nuk përthithet sa duhet, hekuri në gjak bie dhe trupi fillon të prodhojë më pak qeliza të kuqe të gjakut, ato që transportojnë oksigjen nëpër trup. Kjo çon në një gjendje të quajtur anemi nga mungesa e hekurit, dhe simptomat e saj janë:
– Lodhje kronike
– Vështirësi në frymëmarrje
– Rrahje të shpeshta zemre
– Zbehje e lëkurës
– Marramendje
– Dhimbje koke
Kush është më i rrezikuar?
Veganët dhe vegjetarianët, sepse hekuri nga burimet bimore përthithet më vështirë dhe matcha mund ta pengojë edhe më tej.
Gratë shtatzëna ose gjatë menstruacioneve, për shkak të nevojave më të larta për hekur.
Njerëzit që mendojnë se po marrin mjaftueshëm hekur nga perimet, bishtajoret apo buka integrale, por trupi nuk po e përthith dot.
Ata që kanë pasur më parë anemi apo mungesë hekuri.
A do të thotë kjo që duhet të heqim dorë nga matcha? Jo domosdoshmërisht!
Ekspertët thonë se gjithçka ka të bëjë me masën dhe mënyrën e konsumimit. Ja disa këshilla:
✔️ Pini matcha larg vakteve kryesore ose suplementëve me hekur (p.sh. 1–2 orë përpara ose më pas).
✔️ Shoqërojeni hekurin nga ushqimet me vitaminë C (si portokall, limon, luleshtrydhe) që ndihmon përthithjen e tij.
✔️ Nëse konsumoni matcha çdo ditë, bëni herë pas here analiza për nivelet e hekurit, sidomos nëse ndiheni të lodhur pa arsye.
Matcha mbetet një super-pije me shumë përfitime. Por nëse e konsumon shpesh dhe je pjesë e një grupi që ka nevojë të lartë për hekur, informimi është çelësi. Balanca është gjithmonë më e rëndësishme se ekstremet.
Sepse edhe zgjedhjet e shëndetshme, kur bëhen pa njohuri, mund të kenë efekte të padëshiruara!
Lini një koment