Pak i përdorim, por shumë janë vlerat e tyre. Le të njihemi më mirë me bathët
Dikush i ngatërron me bizelet e dikush me fasulet jeshile, por për vlerat që mbartin ato janë të pangatërrueshme. Bathët bëjnë pjesë në familjen e leguminozeve ose bishtajoreve ashtu si fasulet, thjerrëzat, bizelet, soja, qiqrat e kikirikët.
Të pasura me proteina të çmuara, është vërtetuar gjithashtu se bathët veprojnë si rregullator për nivelet e glukozës në gjak dhe janë shumë të dobishme për personat që vuajnë nga diabeti. Por si t’i gatuajmë bathët? Më poshtë do të lexoni 2 receta: bathë jahni dhe tavë me bathë e kumbulla të thata.
Bathë jahni
Për 4-5 persona
1,5 kg bathë të njoma
2 filxhanë kafeje vaj ulliri
2-3 kokrra qepë
1 lugë gjelle salcë domatesh e koncentruar
1 lugë gjelle miell
1 tufë kopër
Kripë
Dafinë
Kumbulla jeshile të tharta për shije
Bathët pastrohen nga bishtat, majat e fijet, shpëlahen mirë dhe zihen për 8-10 minuta. Më pas kullohen.
Në një tenxhere ose tigan, shtoni vajin, qepët e grira e më pas bathët e kulluara si dhe një lugë miell. Shtoni salcën, koprën, dafinën dhe ujë sa të mbulohen bathët. Vendosni kapakun dhe lërini të ziejnë në zjarr të ngadaltë. Për më shumë shije, mund t’u shtoni disa kumbulla jeshile të tharta.
Në fund, shërbejeni jahninë me kopër të grirë hollë dhe 2-3 lugë kos sipas dëshirës.
2. Bathtë në tavë dheu me kumbulla të tharta
Përbërësit:
1,5 kg bathë të njoma
500 gr mish viçi
5-6 qepë të njoma
Një dorë lëpjetë
Një dorë kumbulla të tharta
Kripë
Piper
Vaj ulliri
Marrim bathët e njoma, u presim majat e bishtat dhe më pas i presim më dysh për së gjati.
Marrim mishin e viçit të prerë në copa dhe e ziejmë derisa të zbutet dhe të ketë ngelur pak lëng në tenxhere.
Në një tigan nxehim pak vaj, shtojmë qepët e njoma dhe i kaurdisim. Më pas i shtojmë qepët tek tenxherja me mishin, shtojmë lëpjetët e grira, bathët, kripë, piper dhe vaj ulliri. E përziejmë mirë këtë masë dhe më pas e shtrojmë në një tavë dheu.
Sipër saj vendosim kumbulla të tharta. E pjekim në 220 gradë për 20-30 minuta. Ju bëftë mirë!
Tartufi, ky përbërës misterioz dhe i rrallë, ka qenë prej kohësh një simbol i luksit në botën kulinare. I njohur për aromën e tij të veçantë dhe të fuqishme, tartufi ka kapur imagjinatën e kuzhinierëve dhe gurmanëve në të...
Nuk mund të blesh lumturinë, por mund të blesh sushi, që është e njëjta gjë! Në dy dekadat e fundit është bërë sensacion vakti tradicional japonez i njohur si sushi. Dita Ndërkombëtare e Sushit feston këtë vakt potencialisht të...
Sot në vend festohet Sulltan Nevruzi, festa më e rëndësishme e besimtarëve bektashinj. Fillimisht festohej si festa e ardhjes së pranverës dhe më vonë si ditëlindja e imam Aliut. Kjo festë zgjat tri ditë. Besimtarët shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri...
Lini një koment