Byreku me 12 bimë. Receta që sjell Ditën e Verës në shtëpi

Byrek me 12 bimë

Persona: 5
Koha e përgatitjes: 35 minuta Koha e gatimit: 25 minuta

Kur kujtojmë Ditën e Verës, receta më tipike që na vjen në mend janë ballokumet, por në shumë zona gatuhen edhe shumë receta të tjera me rastin e kësaj feste: vezë të ziera, misër i zier dhe një prej tyre është edhe byreku me 12 lloje lakrash të egra e erëzash të ndryshme, simbol i gjelbërimit, përtëritjes së stinëve dhe të jetës. Për këtë recetë mund të përdorni bimë si (spinaq, pazi, labot, lëpjetë, hithra, cikore, lulëkuqe, nena, kopër, nenexhik, qepë të njoma, etj), mjafton të përdorni 12 bimë për t’i uruar mirëseardhjen Ditës së Verës. Më poshtë ju tregojmë recetën:

Ingredientët

  • Për brumin:
  • 500 gr miell
  • Kripë
  • Ujë i vakët
  • Për mbushjen:
  • 1,5 kg lakra të egra e erëza (spinaq, pazi, labot, lëpjetë, hithra, cikore, lulëkuqe, nena, kopër, nenexhik, qepë të njoma, etj),
  • 1 vezë
  • 1 gotë kos
  • Djathë i thërrmuar
  • 3 lugë vaj ulliri
  • Pak gjalpë

Udhëzimet

1

Zëmë brumin dhe e lëmë në qetësi për 30 minuta. Lakrat e pastruara mirë i ziejmë për 5 minuta. Më pas u kullojmë mirë ujin duke i shtypur me dorë.

2

I hedhim në një tas dhe shtojmë vezën, kosin, djathin e thërrmuar, vajin e ullirit, kripën dhe piperin. I përziejmë mirë. Kështu kemi krijuar mbushjen.

3

Brumin e ndajmë në 10-12 kulaçka. I kalojmë kulaçkat në niseshte dhe i hapim me petës me diametër 10-12 cm.

4

Me gjysmat e tyre do hapim petën e poshtme dhe me gjysmat petën e sipërme. Marrim gjysmat, i lyejmë me pak vaj dhe i bashkojmë mirë me njëra-tjetrën duke i shtypur pak me petës.

5

Hapim petën e poshtme dhe shtrojmë në tepsinë e lyer me vaj. Pastaj hedhim gjellën e përgatitur dhe e rrafshojmë mirë në gjithë sipërfaqen.

6

Më pas, me gjysmat e tjera të kulaçkave hapim petën e sipërme. Ia shtrojmë tepsisë dhe rregullojmë mirë anët.

7

Në fund e spërkasim me pak gjalpë për aromë dhe e fusim të piqet në furrë të ngrohur në 200 gradë. Gëzuar Ditën e Verës!

Lini një koment