Qofte pule të zhytura në salcë limoni

Qofte pule të zhytura në salcë limoni

Persona: 4
Koha e përgatitjes: 20 minuta Koha e gatimit: 35 minuta

Qoftet mund t'i bëjmë edhe me mishin e pulës. Ato do të jenë po aq të shijshme dhe të shëndetshme, sa keni dashur. Për t'u bindur filloni t'i gatuani me recetën tonë!

Ingredientët

  • 400 gram fileto pule
  • 2 lugë gjelle parmixhano
  • 2 feta bukë të bardhë
  • 30 gram gjalpë
  • 2 lugë gjelle miell
  • 1/2 lëng limoni
  • 1 gotë ujë
  • 1 tufë majdanoz
  • Kripë dhe piper i zi

Udhëzimet

1

Filetot e pulës i grini imët dhe i kaloni në një tas. Bukën vendoseni në ujë paraprakisht për t’u zbutur, e shtrydhni, e thërrmoni dhe ia shtoni mishit të grirë.

2

Shtoni gjithashtu edhe djathin, majdanozin e grirë imët, kripën, piperin.

3

E punoni mirë masën dhe filloni e formoni disa qofte të vogla.

4

I vendosni për t'i skuqur në një tigan me vaj të nxehur luledielli.

5

Ndërkohë që qoftet skuqen, përgatisni salcën e limonit. Në një tigan skuqni gjalpin, shtoni miellin dhe i përzieni mirë.

6

Shtoni lëngun e limonit, ujin dhe e lini të marrë një valë.

7

Nga fundi i shtoni pak kripë e piper, shtoni qoftet dhe i trazoni lehtë.

8

I lini edhe për 10 minuta të tjera në zjarr sa salca të trashet dhe më pas i shijoni!

Lini një koment