Sugjerojmë:

7 këshilla që duhet të keni parasysh para çdo bisede me fëmijët rreth COVID-19

Në një kohë kur fokusi i çdo bisede është koronavirus i ri (COVID-19) dhe jemi gjatë gjithë kohës të bombarduar me informacione në media, rrjete sociale apo dhe internet mbi situatën aktuale, është mjaft e rëndësishme të mos neglizhojmë faktin që të njëjtin akses kanë edhe fëmijët, madje ata mund të përjetojnë akoma më tepër ankth nga shqetësimi që kanë për veten, familjarët dhe miqtë e tyre.

Prandaj është detyra e prindërve dhe e anëtarëve të tjerë të familjes t’i ndihmojnë fëmijët të përjetojnë sa më pak ndjenja negative siç janë ankthi apo frika.

Ja disa këshilla që rekomandohen para çdo bisede me fëmijët:

Transmetoni qetësi dhe siguri
Mos harroni se fëmijët do të reagojnë jo vetëm ndaj informacionit që ju i transmetoni, por dhe ndaj mënyrës së transmetimit të tij, prandaj përpiquni të jeni sa më të qetë.

Dëgjoni dhe komunikoni me ta
Qëndrojini afër fëmijëve dhe mos i shmangni pyetjet e tyre duke menduar se nuk ju kuptojnë. Ata duhet të gjejnë ngrohtësi dhe mirëkuptim tek ju për çdo shqetësim që kanë.

Evitoni stigmatizimin apo çfarëdolloj mënyre të shprehuri që mund të sugjestionojë diskriminim
Mos harroni se COVID-19 mund të prekë këdo, pavarësisht përkatësisë etnike të personit prandaj shmangni supozimet se kush mund të jetë i infektuar ose jo.

Bëhuni selektiv ndaj asaj që ata shohin ose dëgjojnë në media/radio/internet
Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj informimit rreth COVID-19 mund të shkaktojë ankth.

Sigurohuni që informacionet që ata marrin të jenë të sakta.
Jeni ju ata të cilët fillimisht përzgjedhin burimin e informacionit prandaj, tregohuni të kujdesshëm të transmetoni vetëm informacione të sakta dhe të përshtatshme për moshën dhe nivelin e zhvillimit psiko-emocional të fëmijëve.

Jepuni shembullin e mirë si dhe mësojini atyre veprimet rutinë për të minimizuar përhapjen e baktereve
Këshillojini t’u qëndrojnë larg njerëzve që kolliten/tështijnë apo shfaqin simptoma të COVID-19.

Mësojini që të përdorin:
-këndin e bërrylit sa herë që kolliten/tështijnë
-shami letre të cilën më pas duhet ta hedhin menjëherë në kosh.

Mos harroni që t’i informoni mbi rëndësinë e higjienës së duarve!

Lini një koment