Sugjerojmë:

5 mënyra për të luftuar infeksionet dhe fuqizuar sistemin tonë imunitar

Në vijim të situatës që po përjetojmë, si pasojë e pandemisë së COVID-19 dhe përhapjes gjithmonë e më të madhe që ky virus ka në të gjithë botën, Organizata Botërore e Shëndetësisë ҫdo ditë e më shumë kërkon të ndërgjegjësojë në marrjen e masave parandaluese.

Përpos faktit që respektimi rigoroz i rregullave të vendosura si larja e shpeshtë e duarve, mbajtja e distancës nga të tjerët apo vetëizolimi, janë shumë të rëndësishme, por po aq e rëndësishme është edhe marrja e disa masave që ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar, sepse një sistem i mirë imunitar ndihmon të luftojë këtë virus në momentin kur organizmi ynë bie në kontakt me të.

Sistemi ynë imunitar është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të luftojë infeksionet dhe sëmundjet që prekin organizmin tonë. Fuqia e sistemit imunitar ndryshon nga personi në person, por mund të ndryshojë edhe nga dita në ditë, sepse aftësia e tij për të luftuar infeksionet që prekin organizmin tonë luhatet në varësi të disa faktorëve.

Më poshtë po ju listojmë disa prej masave që mund të merrni për të patur një sistem të mirë imunitar, aq i rëndësishëm në një kohë kur përballemi me pandeminë e COVD-19:

Reduktoni sa më shumë stresin
Të bombarduar gjatë gjithë ditës me lajme që mbjellin vetëm panik dhe frikë për COVD-19 është shumë e lehtë që gjithësecili nga ne të stresohet dhe jo pak prej nesh po përjetojnë edhe situata paniku. Kemi parë shumë persona që nga paniku kanë filluar magazinimin e materialeve dhe produkteve ushqimore për një periudhë afatgjatë. Të marrësh për të qenë i përgatitur në raste emergjencash siҫ është edhe situata e pandemisë të cilën po përjetojmë është një gjë e mirë, por ajo që duhet të kemi parasysh është që hormonet e stresit sulmojnë sistemin tonë imunitar duke e bërë luftën ndaj infeksioneve virale më pak efektive. Stresi gjithashtu ndikon negativisht në prodhimin e limfociteve, qelizat e bardha të gjakut që janë linja e parë e mbrojtjes së organizmit kundër infeksionit, duke ekspozuar kështu organizmin për t’u prekur nga infeksionet virale.

Prandaj është shumë e rëndësishme që në këto situata të mundohesh të mos biesh prej e stresit apo të mos bësh panik sepse në këtë mënyrë vetëm do të përkeqësoni situatën. Mos harroni që efektet e stresit janë kumulative, prandaj për të lehtësuar veten nga stresi dhe emocionet negative mundohuni të relaksoheni sa më shumë, qëndroni sa më larg lajmeve mbi COVD-19 që ju krijojnë ngarkesa negative, merruni me meditim dhe mendoni pozitivisht, vetëm kështu do të mund të ndihmoni veten dhe të gjithë ata që keni përreth.

Ushtrohuni, por pa e ekzagjeruar
Ushtrimi në mënyrë të rregullt me aktivitet fizik promovon shëndetin kardiovaskular, ul presionin e gjakut, mban nën kontroll peshën e trupit dhe na ofron mbrojtje të organizmit ndaj sëmundjeve të ndryshme. Aktiviteti fizik përmirëson gjithashtu qarkullimin e gjakut duke lejuar kështu qelizat e sistemit imunitar të lëvizin më lirshëm në organizëm duke kryer kështu në mënyrë më efektive punën e tyre. Pavarësisht se deri më sot shkencëtarët nuk kanë parë një lidhje të dretpërdrejtë midis aktivitetit fizik dhe sistemit tonë imunitar, është e arsyeshme të supozojmë se kryerja e një aktiviteti të rregullt fizik, në mënyrë të moderuar, mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme dhe me pak fjalë promovon një organizëm më të shëndetshëm. Por kujdes, ajo që ekspertët rekomandojne është të ushtruarit në mënyrë të moderuar, sepse aktiviteti i tepërt fizik mund të mos ndikojë për mirë në sistemin tonë imunitar. Prandaj mundohuni të mos e ekzagjeroni sidomos në këtë periudhë shpërthimi të infeksionit viral.

Konsumoni Dietë Ushqimore të balancuar me bazë fruta dhe perime
Sistemi imunitar është sistemi mbrojtës i organizmit tonë dhe si i tillë ka nevojë për mbështetje. Është e vërtetuar tashmë që personat që jetojnë në varfëri dhe janë të kequshqyer janë më të ekspozuar ndaj sëmundjeve infektive. Edhe pse ka patur disa studime që lidhin efektet e të ushqyerit në mënyrë të drejtpërdrejtë me sëmundjet infektive, ekzistojnë evidenca që tregojnë se mungesa e disa mikronutrientëve të tilla si: zinku, seleniumi, hekuri, acidi folik, apo mungesa e disa vitaminave si A, B6, C dhe E mund të ndikojnë në reagimin e sistemit imunitar.

Prandaj është e rëndësishme që të konsumoni një dietë ushqimore të ekuilibruar me fruta dhe perime të stinës dhe me sa më shumë ngjyra, në mënyrë që të merrni sasinë e duhur të mikronutrientëve dhe vitaminave, aq të rëndësishme për një sistem imunitar sa më të fortë.

JO duhan
Duhani ka një sërë efektesh negative që ndikojnë në sistemin tonë imunitar si: organizmi është më vulnerabël ndaj infeksioneve si pneumonia dhe gripi; sëmundje të formave më të rënda dhe që zgjatin më shumë në kohë; nivele më të ulëta të antioksidantëve mbrojtës në gjak (siҫ është vitamina C).

Flini mjaftueshëm
Studimet tregojnë se personat që nuk bëjnë gjumë cilësor apo nuk flenë mjaftueshëm kanë më shumë gjasa të sëmurën në rast se bien në kontakt me një virus. Kur ne flemë trupi lëshon proteina të quajtura citokina ndërsa privimi i gjumit bën që të zvogëlohet prodhimi i tyre. Citokinat luajnë rolin e parashutave në kohë infeksionesh apo virusesh.

Për më tepër, prodhimi i antitrupave dhe qelizave immune zvogëlohet kur nuk arrijmë të flemë mjaftueshëm. 7-8 orë gjumë vlerësohet të jenë sasia optimale e gjumit për shumicën e të rriturve, ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët mund të kenë nevojë deri në 10 orë gjumë.

Lini një koment