Deri dje, të nxirrje fëmijët për të ngrënë do të thoshte pica, hamburger apo nuggets pule. Sot, në shumë familje, sidomos urbane, kjo ka ndryshuar rrënjësisht. Fëmijët nuk po kërkojnë më fast food, por sushi. Dhe jo thjesht ndonjë roll të thjeshtë, por menu të plota, peshk “premium”, madje edhe përvoja që dikur konsideroheshin luks për të rriturit.
Ky nuk është një kapriço e rastësishme. Sushi është kthyer në simbolin e një ushqimi modern, “të shëndetshëm” dhe cool. Prindërit e zgjedhin sepse duan të shmangin ushqimet e përpunuara, ndërsa fëmijët e duan sepse e shohin kudo, në rrjete sociale, video, restorante trendy. Ushqimi nuk është më thjesht çështje barku, por statusi dhe përvoje.
Sipas të dhënave të industrisë ushqimore, kërkesa për sushi është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe gjithnjë e më shumë vjen nga familjet me fëmijë. Vetëm në SHBA, shitjet me pakicë të sushi-t kanë arritur rreth 2.9 miliardë dollarë në një vit. Ka familje që shpenzojnë mbi 150 dollarë për një darkë javore me sushi, ndërsa disa restorante raportojnë fëmijë 6 apo 7 vjeç që zgjedhin vetë sushi të shtrenjtë, si shpërblim për notat apo detyrat e shtëpisë.
Ajo që dikur ishte përjashtim, sot po bëhet rutinë. Fast food-i po shihet si i vjetëruar dhe i pashëndetshëm, ndërsa sushi po perceptohet si zgjedhja “e zgjuar”. Por këtu nis dilema.
Jo çdo sushi është i përshtatshëm për fëmijët. Sidomos ai që përmban peshk të papërpunuar. Peshku i pagatuar mund të mbartë parazitë apo baktere që për të rriturit shpesh kalojnë pa pasoja, por për fëmijët mund të shkaktojnë probleme serioze me stomakun dhe zorrët. Për më tepër, disa lloje peshku, si toni, mund të përmbajnë nivele të larta merkuri, i cili ndikon në zhvillimin e trurit te fëmijët.
Mjekët këshillojnë që fëmijët të konsumojnë sushi vetëm në variante të gatuara, me peshk të pjekur, tempura, perime ose vezë, dhe jo si ushqim të përditshëm. Problemi është se ky detaj shpesh humbet mes idesë se sushi është automatikisht i shëndetshëm.
Mes dëshirës për të provuar gjëra të reja dhe nevojës për kujdes, balanca mbetet ajo që bën diferencën. Sepse ushqimi nuk duhet të jetë as frikë, as obsesion, por një kënaqësi e vogël që ndahet me mendje dhe masë.
Lini një koment