Sugjerojmë:

Aromatizues natyralë ajri me fruta, perime e erëza

Me pastrimet e pranverës, të gjithë kemi dëshirë që shtëpia jonë të mbajë aromë të mirë dhe të freskët. Për këtë mund të na ndihmojë një aromatizues natyral i ajrit i përgatitur me përbërës organikë dhe shumë efektiv, sa që nuk do të blini ndoshta më kurrë një artificial.

Gjëra që ju duhen:

  • kavanozë
  • Disa feta lime
  • Disa feta qitro
  • Dega të freskëta livande
  • Feta kastraveci
  • Gjethe menteje
  • Kokrra dëllinje

Kombinimi i agrumeve me livandën qetësuese dhe kokrrat e dëllinjës krijon një aromë mikpritëse, perfekte për të mbushur gjithë hapësirën.

Nga ana tjetër, aroma shpërthyese e mentes e kombinuar me agrumet dhe kastravecin dhuron ndjesinë e freskisë dhe pastërtisë, perfekte për zona si korridori apo banja.

Hapi 1

Për të krijuar një aromë që shtrihet në gjithë hapësirën tuaj, përziejini përbërësit në një tenxhere dhe vendosini mbi sobë. Shtoni ujë aq sa të mbulohen përbërësit. Prisni të ziejë uji, më pas ulni sobën dhe lëreni të avullojë ngadalë, kështu do të lëshojë një aromë të mrekullueshme nëpër shtëpi.

Nëse doni që aroma të mbajë më gjatë, vazhdoni të shtoni ujë herë pas here ose ndonjë fetë fruit shtesë.

Hapi 2

Që aromatizuesit e ajrit t’i keni edhe në dhomat e tjera, hidhini përbërësit nëpër kavanozë dhe vendosni një ibrik me ujë të ziejë. Mbushini kavanozët me ujë të vluar pasi uji i nxehtë është çelësi për të nxjerrë aromat nga bimët.

Hapi 3

Vendosini kavanozët në pozicione të ndryshme të shtëpisë. Për të mbajtur sa më shumë aromë, ndërrojuani ujin shpesh ose nxehini kavanozët herë pas here në mikrovalë.

Lini një koment