Mund të duket e çuditshme ose edhe e vështirë për t’u pranuar, por është një fakt i provuar shkencërisht. Të gjitha llojet e mishit të përpunuar; sallamet, proshutat, wurstët apo ragutë e gatshme, janë klasifikuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin mbi Kancerin si kancerogjenë të sigurt për njeriun. Me fjalë të tjera, evidenca është e fortë dhe e padiskutueshme: kush konsumon rreth 50 gram mish të përpunuar çdo ditë ka një rrezik 16% më të lartë për kancer të zorrës së trashë, krahasuar me ata që nuk e konsumojnë.
Pse ndodh kjo? Shkaku nuk lidhet me një përbërës të vetëm, por me një kombinim procesesh që ndodhin gjatë konservimit dhe përpunimit të mishit.
Nitratet dhe nitritet që përdoren për ruajtjen e tij mund të shndërrohen në komponime kancerogjene. Procesi i tharjes dhe i tymosjes ndihmon formimin e molekulave toksike që dëmtojnë ADN-në. Kripa e tepërt krijon një terren të përshtatshëm për inflamacion kronik, ndërsa hekuri i pranishëm në mishin e kuq gjeneron stres oksidativ që dëmton qelizat. Studimet e fundit kanë treguar gjithashtu se mishi i përpunuar ndryshon mikrobiotën e zorrëve, duke nxitur bakteret e “këqija” që prodhojnë substanca kancerogjene dhe duke ulur ato mbrojtëset që zakonisht na ndihmojnë të qëndrojmë të shëndetshëm.
A duhet të heqim dorë? Shija dhe tradita nuk zhduken me një vendim. Por është e rëndësishme të kuptojmë çmimin e fshehur që paguajmë me çdo konsum të shpeshtë. Trupi ynë nuk ka mekanizma magjikë për t’i përpunuar këto substanca pa pasoja dhe ekspozimi i vazhdueshëm vetëm shton barrën me kalimin e kohës. Parandalimi i kancerit nuk lidhet me një rast të vetëm, por me zgjedhjet tona të përditshme. Sa më rrallë të vendosen këto produkte në tryezë, aq më i vogël bëhet rreziku i akumuluar.
Ndërgjegjësimi i vërtetë nuk do të thotë të heqim dorë përgjithmonë nga gjithçka, por të dimë çfarë po zgjedhim. Sepse një gjë është e sigurt: shëndeti nuk matet me një fetë proshutë, por me zakonet që ndërtojmë çdo ditë.
Lini një koment