Kush i shpiku vërtet biskotat e fatit? Jo ata që mendon ti!

Shumë prej nesh e kemi provuar atë momentin e këndshëm në fund të një vakti në një restorant kinez, kur na shërbehet një biskotë krokante që fsheh brenda një copëz letre me një “parashikim”, mesazh apo disa numra me fat. Por ja surpriza: ato që njohim si “biskota fati” nuk janë aspak një shpikje kineze.

Historia e tyre nis në Japoni, ku prej shekujsh shitej në tempuj dhe faltore një biskotë më e madhe dhe më e errët, e quajtur tsujiura senbei. Ajo kishte shpesh shije miso ose susami dhe gjithmonë mbante brenda një mesazh të vogël me urime ose këshilla.

Fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, emigrantët japonezë e sollën këtë traditë në Shtetet e Bashkuara, sidomos në Kaliforni. Fillimisht ishin ata që i prodhonin e i shisnin dhe shumë restorante kineze në Amerikë, në atë kohë, kishin pronarë ose punonjës japonezë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur japonezët-amerikanë u internuan padrejtësisht, bizneset kinezo-amerikane morën në dorë prodhimin e biskotave të fatit. Klientët amerikanë i adhuruan si një ëmbëlsirë të lezetshme për të mbyllur darkën. Tani, sigurisht janë të përhapura nëpër të gjithë rruzullin.

Me kohën, biskotat ndryshuan: u bënë më të vogla, më të ëmbla dhe me aromë vaniljeje, për t’iu përshtatur shijeve perëndimore. Sot prodhohen masivisht dhe i gjen kudo në botë, duke u konsideruar gabimisht si pjesë tradicionale e kuzhinës kineze.

Prandaj, herën tjetër që do të hapësh një biskotë fati dhe do të lexosh mesazhin e saj, kujto se ajo ka bërë një udhëtim të gjatë, nga tempujt japonezë, te kuzhinat moderne dhe deri në tryezën tënde.

Lini një koment