Intervista/ Tartuf Shop përballë COVID-19. Sfidat dhe rreziqet e biznesit për t’i mbijetuar armikut të padukshëm
Është padyshim një nga sipërmarrjet më simpatike dhe me ngjyra të veçanta në të gjithë Shqipërinë. Na rikujton edhe njëherë thesaret e çmuara të tokës shqiptare të cilat duhet të zënë më shumë vend në tryezat tona. Po ndalem tek “Tartuf Shop” që në fakt prej mëse 1 viti ka kaluar përtej kësaj. Ka kaluar në një dyqan, por njëkohësisht edhe si restorant tek Kalaja e Tiranës. E gjitha nisi nga një “eksperiment” në qendrën e Tiranës me disa shtëpiza druri. Aty filluan të shiten sanduiçet e para me tartuf të cilat u pëlqyen shumë nga njerëzit. Mesa duket komentet pozitive dhe pyetjet e shpeshta nga klientet e kënaqur se ‘kur do ta hapni një restorant’, ishte shtysa më e mirë që diçka e tillë të bëhej realitet.
Sapo kalon aty afër është e pamundur të mos ndjesh aromën ngacmuese të tartufit. Produktet ushqimore që do të gjeni në “Tartuf Shop”, vijnë të gjitha nga Italia. Ndërsa tartufi mblidhet në vende të ndryshme të Shqipërisë. Tani për shembull është koha e tartufit të zi, prandaj nëse ende nuk ke provuar një karbonara me tartuf, një ndër specialitetet e vendit për të cilin po ju flas, duhet ta bëni!
Tartufin në vendin tonë, ndryshe nga sa në Paris apo Londër vlera e të cilit kap shifra marramendëse, mund ta shijojë kushdo. Dhe çmimet e përballueshme nuk e kompromentojnë aspak cilësinë. Tartufi është 1. Madje më lini t’ju them se Shqipëria arrin të eksportojë tartuf!
Gjatë vizitës që bëra në sipërmarrjen në fjalë vura re se i gjithë stafi ishte i pajisur me maska e doreza. Tavolinat kishin një distancë nga njëra tjetra dhe madje në hyrje kishin vendosur një dezinfektues për duart. Arredimi i lokalit është fantastik. Ambient i ngrohtë ku do të duash të qendrosh me orë të gjata.
Në pikturën më lartë shihni Ketin. Emri i qenit të parë shqiptar që ka zbuluar tartufin në vendin tonë. Por pas 13 vitesh aventurë, ai humbi jetën si pasojë e sulmit nga një gjarpër, teksa po kërkonte për tartufin e radhës.
Tavolinat jashtë nën rrezet e diellit të ftojnë gjithashtu të shijosh një pjatë nga menuja, sigurisht me tartuf. Të gjitha ishin plot. Por në fakt aty për aty mu krijua një iluzion i gabuar. Mendova se gjithçka kishte rifilluar me ritme normale për “Tartuf Shop”.
Gjatë bisedës me Enean, djaloshin e ri dhe sipërmarrësin e këtij biznesi me natyrë të veçantë, u kujtova se në fakt lokali brenda ishte bosh. Kjo për shkak të kufizimeve që ka vendosur pushteti qendror. Baret dhe restorantet aktualisht nuk mund të operojnë në ambientet brenda.
“Deri në dhjetor kemi luftë për ekzistencë. Masat që u morën dëmtuan bizneset”, u shpreh Enea.
“Tartuf Shop” qendroi i mbyllur prej datës 10 mars, për t’u rihapur më pas në 18 maj. Plot 2 muaj i mbyllur! Një periudhë realisht e vështirë për çdo biznes që nuk u çlirua nga taksat, qeraja e ambientit apo sigurimet shoqërore të stafit. Fatmirësisht në “Tartuf Shop” nuk pati një shkurtim në staf.
Por a u konsumua tartuf gjatë pandemisë?
Nëse do të flasim për tartufin që shitet në një prej supermarketeve më të mëdha në vend, do të thonim se po. Përsa i takon deliveryt, Enea shprehet se “nuk u preferua shumë nga njerëzit”.
“Pjatat me tartuf duhen konsumuar në çast, të freskëta”, thotë ai.
Por edhe pse lokali është hapur në një prej zonave më të frekuentura në vend, situata duket të jetë ende e vështirë.
“Kufizimi deri në orën 21:00 duhet të hiqet. E shtuna dhe e diela e mbyllur na prishin shumë punë. Sidomos e diela e cila mbyll çdo aktivitet përveç marketeve dhe farmacive. Këto kufizime na bëjnë që të kemi ritme të ngadalta të ringritjes së punës”
Çdo produkt nga menuja e Tartuf, mund ta porososni online përmes SnapFood
Fenomeni Enea, po përzgjedh ta quaj kështu sepse si ai, janë edhe shumë sipërmarrës të tjerë në vend, nuk kërkon shumë. Vetëm të punojë, i lirë dhe pa kufizime që s’bëjnë gjë tjetër veçse ndrydhin bizneset familjare, të cilat në vendin tonë janë të shumta.
“Të vish në Tartuf Shop do të thotë të shijosh një eksperiencë unike. Jemi krenarë që ne sjellim në qendër të vëmendjes këtë produkt. Edhe të huajt kanë vlerësime maksimale. Ata largohen nga këtu me mendimet më të mira, më pozitive dhe madje shpeshherë të habitur, për çmimet e ulëta të tartufit. Duhet t’ia dalim, do ia dalim se s’bën”.
Dua të besoj dhe shpresoj në pozitivitetin e Eneas, se një dritë jeshile është në horizont për biznesin në tërësi. Por për këtë, le t’i japim kohë, kohës!
Mbrëmjet me miq të shumtë në shtëpi janë gjithnjë një kënaqësi e madhe falë argëtimit e kujtimeve që mbeten, veçanërisht kur ka humor e biseda të këndshme. Por organizimi i saj mund të kthehet në një mundim të jashtëzakonshëm...
Për të përgatitur bazën, përzieni 50 g miell me 50 g ujë të vakët në një kavanoz ose, akoma më mirë, një enë plastike. Sigurohuni që i gjithë mielli të jetë përfshirë dhe lëreni gjysmë të pambuluar në temperaturën...
Të kanë tepruar dy feta picë nga një natë më parë dhe po gëzon sepse sapo kuptove që e ke mëngjesin gati. Ajo që duhet është vetëm t’i ngohësh shpejt e shpejt… po si? Në mikrovalë brumi bëhet si...
Lini një koment