A duhet/lejohet të agjërojë një grua shtatzënë?

Çdo vit gjatë Ramazanit, shumë gra shtatzëna përballen me të njëjtën pyetje: a duhet të agjëroj gjatë shtatzënisë apo është më mirë të mos e bëj? Përgjigjja nuk është e njëjtë për të gjitha gratë, sepse varet nga gjendja shëndetësore e nënës, zhvillimi i shtatzënisë dhe këshilla e mjekut. Megjithatë, si nga pikëpamja fetare ashtu edhe nga ajo mjekësore, ekzistojnë disa parime të qarta.

Nga ana fetare, në Islam gruaja shtatzënë nuk është e detyruar të agjërojë nëse ka frikë se agjërimi mund të dëmtojë shëndetin e saj ose të foshnjës. Në këto raste ajo ka dy mundësi: mund t’i kompensojë ditët e agjërimit më vonë (kada), ose sipas disa interpretimeve të dijetarëve mund të japë fidje, që do të thotë të ushqejë një person në nevojë për çdo ditë agjërimi të humbur. Qëllimi kryesor është ruajtja e shëndetit dhe mirëqenies, si të nënës ashtu edhe të fëmijës.

Nga pikëpamja mjekësore, agjërimi gjatë shtatzënisë nuk rekomandohet si rutinë, sepse gjatë kësaj periudhe trupi i gruas ka nevojë për furnizim të rregullt me energji, lëngje dhe lëndë ushqyese. Fetusi zhvillohet duke marrë glukozë dhe energji nga organizmi i nënës, prandaj stabiliteti metabolik i nënës është shumë i rëndësishëm. Po ashtu, hidratimi adekuat dhe një furnizim i vazhdueshëm me energji janë faktorë kyç për një shtatzëni të shëndetshme.

Kur një grua shtatzënë qëndron për shumë orë pa ushqim dhe pa ujë, mund të shfaqen disa probleme fiziologjike. Agjërimi i zgjatur mund të çojë në hipoglicemi (ulje të sheqerit në gjak), dehidrim, rritje të trupave ketonikë në organizëm, si dhe lodhje apo ulje të tensionit. Këto gjendje mund të ndikojnë në mirëqenien e nënës dhe në disa raste edhe në zhvillimin e fetusit, i cili është veçanërisht i ndjeshëm ndaj mungesës së energjisë për periudha të gjata.

Për këtë arsye mjekët këshillojnë që agjërimi të shmanget nëse ekzistojnë disa faktorë rreziku, si:

diabeti (sidomos diabeti gestacional), anemia e rëndë, hipertensioni ose preeklampsia, rreziku për rritje të pamjaftueshme të fetusit (IUGR), shtatzënia multiple, të vjellat e forta gjatë shtatzënisë (hiperemeza) ose rastet kur nëna nuk ka shtim të mjaftueshëm në peshë.

Megjithatë, në disa raste agjërimi mund të tolerohet. Kjo zakonisht ndodh kur shtatzënia është fiziologjike dhe pa komplikacione, nëna është në gjendje të mirë ushqimore, nuk ka patologji obstetrikale dhe zakonisht kur shtatzënia është në tremujorin e dytë, që konsiderohet periudha më e qëndrueshme. Edhe në këto raste rekomandohet gjithmonë konsultimi me mjekun përpara se të merret vendimi për të agjëruar.

Nëse një grua shtatzënë vendos të agjërojë dhe shtatzënia është pa probleme, është shumë e rëndësishme që gjatë orëve të lejuara të ushqimit të kujdeset për hidratimin e mjaftueshëm dhe për një dietë të balancuar, që përfshin proteina, karbohidrate komplekse, fruta, perime dhe lëngje. Po ashtu duhet të jetë e vëmendshme ndaj shenjat që jep trupi. Marramendja, dobësia e fortë, ulja e lëvizjeve të foshnjës, kontraksionet ose ndjenja e të fikëtit janë sinjale që agjërimi duhet ndërprerë menjëherë.

Pra, gruaja shtatzënë nuk është e detyruar të agjërojë nëse ekziston rrezik për shëndetin e saj ose të foshnjës. Feja e lejon këtë përjashtim, ndërsa mjekësia rekomandon kujdes maksimal gjatë shtatzënisë. Vendimi duhet të merret gjithmonë duke vlerësuar gjendjen individuale të nënës dhe duke u konsultuar me mjekun.

Në çdo rast, shëndeti i nënës dhe zhvillimi i sigurt i foshnjës mbeten prioriteti kryesor.

Lini një koment