Tirana humb një prej restoranteve më të dashura! Përse u mbyll “Luga e Argjendtë”?
Pikënisja e këtij emri të madh do të ishte pikërisht në vitin 2012, pranë një blogu online të një mediaje shqiptare. Recetat më të mira shqiptare përcilleshin tek publiku me foto të këndshme, disa kuriozitete më tepër dhe tek tuk ndonjë element tradicional të recetës, si për të përcjellë siç duhet edhe zonën nga e cila e kishte origjinën receta.
Kështu lindi “Luga e Argjendtë” një emër i madh në gastronominë shqiptare, me vizionin e të njohurës Dhurata Thanasi. Dhurata gjithnjë ka promovuar produktet shqip, nga zona të ndryshme të Shqipërisë, sepse sipas saj ushqimi ishte karremi më i mirë për të sjellë bashkë gjithë eksperiencën e saj të pasur të mbledhur ndër vite.
“Luga e Argjendtë” kishte diçka ndryshe nga të tjerat. Deri dje shumicës i vinte turp nga tradita, ndërkohë që tradita është vlera jonë”, shprehet Dhurata në një intervistë për Neps.al
Pas një dyqani të vogël me dy tavolina, popullariteti i madh e çoi “Lugën e Argjendtë”, 1 vit e gjysmë tek “Kalaja e Tiranës”. Por sot që flasim aktualisht kjo sipërmarrje është e mbyllur. Lajmi u bë publik në faqen zyrtare në Instagram të “Lugës së Argjendtë” dhe reagimet nga dashamirësit ishin të shumta. Shumica prej tyre, me të drejtë u trishtuan! Disa prej tyre mendonin se kjo mbyllje do i linte vendin projekteve të reja, e disa të tjerë mendonin se mbyllja s’ishte gjë tjetër veçse një vendim si rrjedhojë e COVID-19.
Nepsi foli gjerë e gjatë rreth kësaj teme me Dhuratën për të mësuar realisht si qendron e vërteta:
“Vendimi për mbylljen ishte marrë më herët, ishte marrë në një periudhë të qetë. Pandemia thjesht përshpejtoi gjërat dhe më iluminoi. Më dha kohë të mendohesha, të kuptoja se isha kthyer në një robot pune. Kuptova se ishte koha t’i jap kohë vetes dhe familjes sime. Kush ka një restorant e di sa punë dhe përkushtim voluminoz kërkon dhe unë jam një natyrë që i rri gjërave në kokë. Përvesh mëngët nga mëngjesi deri në darkë. Nuk mund t’i bëj dot gjërat nëse nuk jam vetë aty”!
4 vite të jetës së saj Dhurata ia kushtoi restorantit, ku së bashku me një staf prej 14 vetësh na mësuan 2 gjëra të rëndësishme:
Të ushqehemi me produktet e stinës
Të konsumojmë produkte të freskëta shqiptare.
“Luga e Argjendtë” e çoi padyshim traditën shqiptare në një nivel tjetër.
“Çdo produkt që ofrohej, përveç kafesë dhe orizit ishte 100% shqiptar. Asnjë ushqim i huaj! Jo sepse jam kundër produkteve të huaja, por sepse jam pro gastronomisë shqiptare. Fryma e parë që solli ‘Luga e Argjendtë’, risolli dinjitetin e traditës. Në fund të fundit, produktet shqiptare, janë ato që do të na shpëtojnë”!
Por për të gjithë kureshtarët, përse u mbyll “Luga e Argjendtë”?
“Gjëra më të mira do vijnë. ‘Luga’ e kreu misionin e saj. Trishtimi im është trishtimi i të tjerëve. Kolegët e mi po qajnë virtualisht që unë nuk jam më aty. ‘Luga’ ka ndihmuar edhe në promovimin e bizneseve të tjera që në qendër kishin produktet shqiptare. Njëkohësisht ‘Luga’ ka qenë një vlerë edhe për “Kalanë e Tiranës”.
E në fakt Dhurata po e lë misionin e saj në duart të sigurta. Nepsi mësoi se drejtimin e restorantit do e marrë shefi i njohur i kuzhinës Ceren Ismet Shehu. Por siç mund ta merrni me mend fytyra e “Lugës së Argjendtë” do të mbetet Dhurata, prandaj kjo sipërmarrje do vazhdojë me një emër ndryshe, por me të njëjtën filozofi: Të konsumojmë shqip!
Tanimë Dhurata tregon për Neps.al se ka ndërmend që produktet shqiptare t’i çojë në një nivel tjetër. Pikërisht për këtë arsye ajo është e angazhuar me një projekt ambicioz, por jo të pamundur. Për herë të parë në një libër që do të botohet në gjuhën shqipe edhe atë angleze, do të bëhen bashkë 60 produkte tipike shqiptare, nga Vermoshi në Konispol dhe 10 receta tradicionale. Libri po përgatitet aktualisht nga Dhurata dhe pritet të dalë në shtator, një botim ky që synon të pushtojë bibliotekat ndërkombëtare.
Kjo nuk do të mbetet vetëm me kaq, pasi hapi i dytë do të jetë synimi drejt certifikimit të produkteve shqiptare me të gjitha standardet për në tregun shqiptar, pse jo në atë Kosovar e më tej.
“Ushqimi për mua nuk është revolucion, por evolucion. Ushqimi duhet të ecë përpara, që fëmijët tanë të kenë produkte dinjitoze për të konsumuar”.
Kështu Tiranës i iku edhe një tjetër qoshkë e ngrohtë mbushur me traditë, kulturë dhe plot dashuri për ushqimin e mirë. Por pas kësaj interviste mësuam që nuk ka asgjë për t’u mërzitur. Përkundrazi, ndihemi kaq mirë që dëshira për të promovuar vlerat e produkteve shqiptare tanimë do të kalojë edhe kufijtë, me dimensione të reja, të kohës, që synojnë të mbajnë gjallë historinë dhe kulturën e vyer tonën.
Angazhimi i Dhuratës do të vazhdojë në një formë tjetër duke ndihmuar në vendosjen e Shqipërisë në hartën e kulinarisë Evropiane.
Në fund të fundit, ushqimit i duhet dhënë një kuptim tjetër, përtej nevojës fizike për të ngrënë!/neps.al
Mbrëmjet me miq të shumtë në shtëpi janë gjithnjë një kënaqësi e madhe falë argëtimit e kujtimeve që mbeten, veçanërisht kur ka humor e biseda të këndshme. Por organizimi i saj mund të kthehet në një mundim të jashtëzakonshëm...
Për të përgatitur bazën, përzieni 50 g miell me 50 g ujë të vakët në një kavanoz ose, akoma më mirë, një enë plastike. Sigurohuni që i gjithë mielli të jetë përfshirë dhe lëreni gjysmë të pambuluar në temperaturën...
Të kanë tepruar dy feta picë nga një natë më parë dhe po gëzon sepse sapo kuptove që e ke mëngjesin gati. Ajo që duhet është vetëm t’i ngohësh shpejt e shpejt… po si? Në mikrovalë brumi bëhet si...
Lini një koment