Përhapja e gjerë që po merr ҫdo ditë e më shumë COVID-19 sjell me vete edhe një sërë përjetimesh si ankth, stres dhe pasiguri, ndjenja këto që përjetohen në shkallë disi më të lartë veҫanërisht nga fëmijët e të gjithë moshave.
Pavarësisht se fëmijët reagojnë karshi këtyre emocioneve në mënyra të ndryshme vlen të theksohet se nëse ata po përballen me faktin që shkollat janë mbyllur dhe si rrjedhim nuk mund të dalin apo të kryejnë aktivitete të ndryshme të cilat i kryenin ҫdo ditë dhe për më tepër, ata nuk mund të takojnë as shokët e tyre atëherë në këtë situatë ata kanë nevojë për më shumë dashuri dhe mbështetje nga ana e prindërve dhe familjarëve të tyre.
Ja disa këshilla për prindërit – Si të veproni me fëmijët tuaj gjatë kësaj periudhe:
Ruani qetësinë dhe jini aktiv
Prindër, në situatën që po jetojmë, duhet të bëni një bisedë të qetë dhe informative me fëmijët tuaj në lidhje me sëmundjen e Coronavirusit (COVID-19), duke ju shpjeguar me fjalë të kuptueshme për ta rëndësinë që ata vetë mund të luajnë në ruajtjen e shëndetit të tyre dhe personave përreth tyre.
Shpjegoni atyre që mund të ndodhë që në një moment të caktuar edhe ata (fëmijët), mund të fillojnë të ndjejnë simptoma të cilat shpesh janë të ngjashme me simptomat e te ftohtit apo gripin e zakonshëm, dhe se në të tilla raste ata nuk duhet të ndihen të frikësuar.
Duhet t’i inkurajoni fëmijët që t’ju njoftojnë menjëherë në rast se ata nuk ndihen mire apo kanë ndonjë shqetësim, në mënyrë që ju të keni mundësi t’ju jepni ndihmën e duhur qysh në momentet e para. Të rriturit duhet të kuptojnë që fëmijët mund të ndihen nervozë dhe të shqetësuar në lidhje me gjithҫka ka lidhje me COVID-19 dhe është detyra juaj të siguroni informacionin e duhur fëmijëve si dhe t’ju tregoni mënyrën se si duhet të kujdesen për të ruajtur veten e tyre (edhe nëpërmjet shembullit personal) pra, duke ju treguar vazhdimisht që duhet të lajnë shpesh duart, të mos prekin fytyrën si dhe të ruajnë distancën nga personat e tjerë.
Krijoni një rutinë ditore
Fëmijët kanë nevojë për strukturim të ditës së tyre. Rekomandohet që prindërit të krijojnë një program ditor për fëmijët e tyre program ku të përfshihen koha e lojës, koha kur mund të telefonojë miqtë e tyre, kohën që duhet t’i dedikojnë mësimeve (për ata që ndjekin shkollën nga shtëpia), kohën kur mund të lexojnë dhe pse jo t’i inkurajoni edhe të vizatojnë, por po aq e rëndësishme që të programoni edhe një kohë kur ata të mund të përfshihen edhe me punët e shtëpisë. Pra, mundohuni që t’i bëni të kuptojnë sesi të ndajnë në mënyrë sa më krijuese dhe aktive ditën e tyre sepse në këtë mënyrë do të kenë një ditë të mbushur dhe do të ndihen më mirë.
Lërini fëmijët të shprehin lirshëm emocionet e tyre
Me mbylljen e shkollave si pasojë e COVID-19 për fëmijët vijoi edhe edhe mbyllja e një sërë aktivitetesh të tjera që i mbante ata të angazhuar gjatë gjithë kohës qofshin këto aktivitete jashtëshkollore, koncerte, ndeshje sportive por edhe lojërat e me shokët e tyre në ambientet jashtë shtëpisë duke bërë që kjo situatë të kthehet në zhgënjyese dhe stresuse për ta. Si rrjedhim këshilla e parë për të gjithë ju prindër është të mos lejoni që fëmijët tuaj të trishtohen.
Kjo vlen sidomos për fëmijët që janë në moshën e adoleshencës të cilët i përjetojnë disi më keq të tilla kufizime, prandaj është detyra juaj si prindër t’ju qëndroni pranë, t’i ndihmoni që të flasin me ju në lidhje me këto përjetimi dhe mundohuni ti mbështesni ata që të kalojnë në mënyrë sa më të lehtë këtë periudhë të vështirë dhe përfshjini ata në programet tuaja ditore.
Kontrolloni informacionet që fëmijët duhet të marrin mbi COVID-19
Qarkullojnë shumë informacione të pavërteta rreth sëmundjes së koronavirusit (COVID-19), prandaj është detyra juaj si prindër të kontrolloni ҫfarë dëgjon dhe ҫfarë besojnë fëmijët tuaj në lidhje me këtë sëmundje. Nuk mjafton vetëm t’i jepni fëmijëve tuaj fakte dhe informacione të sakta, por duhet të zbuloni nëse ata marrin informacion edhe nga burime të tjera, të cilat mund të jenë të pakontrolluara dhe japin fakte të pavërteta, sepse më pas do të jetë shumë e vështirë që ata të mund të ndajnë në mendjen e tyre informacionin e vërtetë që ju i jepni nga ai i pavërtetë që kanë marrë diku tjetër. Pra filloni duke zbuluar fillimisht informacionin që ata kanë marrë dhe prej aty filloni duke ju dhënë atyre informacionin që ata duhet të dinë në lidhje më gjithcka ka të bëjë me COVID-19.
Nëse ata kanë pyetje të cilave edhe ju vetë nuk ju jepni dot përgjigje atëherë, së bashku më ta kërkoni përgjigjet e duhura duke ju referuar vetëm faqeve zyrtare online të Institucioneve përgjegjëse, si të vetmet burime të besueshme në këtë situatë pandemie globale dhe përkatësisht Instituti i Shëndetit Publik apo faqja zyrtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Kujdes me shfaqjen e emocioneve tuaja në sy të fëmijëve
Edhe ju si prindër që në këtë situatë të ndjeni gjithashtu ankth dhe të jeni të stresuar dhe fëmijët janë të prirur të kopjojnë sjelljet emocionale të prindërve. Prandaj në të tilla raste ekspertët rekomandojë që prindërit të bëjnë të pamundurën që të kontrollojnë shprehjen e ankthit apo të stresit dhe të mos lejojnë shfaqjen e shenjave të frikës në prani të fëmijëve, sidomos nëse këto emocione përjetohen në mënyrë intensive.
Fëmijët sidomos në këtë situatë mbështeten shumë të prindërit e tyre dhe kërkojnë prej tyre siguri dhe mbrojtje, prandaj prindërit duhet të kenë parasysh gjithmonë që ata janë si shoferët e një makine dhe fëmijët janë pasagjerët e tyre në këtë udhëtim dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ti transmetojnë atyre vështirësitë e këtij udhëtimi përkundrazi duhet t’ju japin atyre mesazhe qetësie dhe sigurie që gjithҫka do të shkojë mirë dhe se ju do të jeni aty gjithmonë për t’i mbështetur ata!
Lini një koment