Sugjerojmë:

Qofte me bizele dhe fara susami

Krokante dhe të parezistueshme, edhe pse të pjekura në furrë e të përgatitura me perime, qoftet me bizele dhe fara susami janë një pjatë e dytë vegjetariane që do të çmendë fëmijë e të rritur! Janë të përshtatshme edhe nëse ndiqni një regjim ushqimor proteinik. Ja receta e thjeshtë hap pas hapi:

Përbërësit:

  • 500 gr bizele të ngrira
  • 150 gr rikota
  • 125 gr peksimadhe (bukë e thekur e grirë)
  • 40 gr parmixhano
  • 50 gr fara susami
  • 1 vezë
  • 7 gjethe menteje
  • 1 thelpi hudhre
  • Kripë
  • Piper
  • 200 gr kos i plotë

Përgatitja:

1.Gatuani bizelet. Zieni ujë të kripur në një tenxhere, hidhini kripë dhe shtoni bizelet e freskëta ose të ngrira në ujin e vluar. Ziejini për 12 minuta. Më pas kullojini, lërini të vaken, frulojini me mikser së bashku me 2-3 lugë ujë nga zierja e tyre dhe 1 thelpi hudhër të qëruar e të copëtuar. Vendoseni purenë e bizeleve në një tas dhe përziejeni me rikotën.

2. Përgatisni masën e qofteve. Shtoni parmixhanon e grirë, bukën e thekur të grirë, vezën dhe 3-4 gjethe mente të copëtuara me duar. Shtoni kripë e piper dhe vendoseni përbërjen në frigorifer për 30 minuta. Pas kësaj kohe, lagini duart dhe formoni qofte në madhësinë e një arre. Nëse përbërja është shumë e qullët, shtojini edhe pak bukë të thekur të grirë.

3. Përgatitini për në furrë. Përzieni në një tas bukën e grirë të thekur me farat e susamit. Kalojini aty qoftet dhe më pas shtrojini në një tepsi ku keni shtruar letër furre të cilën e keni lagur dhe shtrydhur. Piqini qoftet në furrë të ngrohur në 200 gradë për 15 minuta, duke i kthyer në gjysmën e pjekjes.

4. Ndërkohë, hidhni jogurtin në një tas, hidhini kripë e piper dhe spërkateni me gjethet e mbetura të copëtuara të menteve. Shërbejini qoftet me bizele me këtë salcë të përgatitur.

Lini një koment